LAJMI I FUNDIT:

Loja e hidhur e fajësimit, do ta pasojë unitetin e Izraelit gjatë kohës së luftës

Loja e hidhur e fajësimit, do ta pasojë unitetin e Izraelit gjatë kohës së luftës
Ilustrimi: Ann Kiernan

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Luftërat bashkojnë kombet. Tronditja dhe tmerri i sulmeve të Hamas-it ndaj Izraelit, kanë bashkuar një vend thellësisht të ndarë. Është e mundur që Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, tani mund të formojë një qeveri të unitetit kombëtar.


Uniteti izraelit do të zgjasë paksa, sepse kjo krizë është shumë larg përfundimit. Fati i pengjeve brenda Gazës, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit, do të vazhdojë të mundojë Izraelin. Qeveria gjithashtu përballet me rrezikun e hapjes së fronteve të reja në Bregun e pushtuar Perëndimor, ose në kufirin me Libanin. Por, shumë shpejt, Izraeli do të zhytet në një argument përçarës politik për atë se çfarë shkoi për së mbrapshti. Dy dështime duhet të adresohen. I pari është dështimi i inteligjencës dhe sigurisë. I dyti është i llojit strategjik.

Izraeli ka kohë që krenohet me shërbimet e veta të inteligjencës. Në përgjithësi supozohej se asgjë e madhe nuk do të mund të ndodhte në Gazë, pa ditur Izraeli për këtë. Por, Hamas-i ishte në gjendje të planifikonte dhe të ekzekutonte një sulm dhe një rrebesh kompleks dhe të shumëfishtë, përtej kufirit që izraelitët mendonin se ishte i sigurt. Duke vepruar kështu, ata i kryen sulmet më vdekjeprurëse brenda Izraelit – që nga themelimi i shtetit më 1948.

Si e djathta ashtu edhe qendra priren të fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e inteligjencës dhe të sigurisë. (E majta tashmë mezi që ekziston.) Si kryeministër, Netanyahu është personi fizik që duhet të fajësohet për atë që ka ndodhur.

Supozimet e kryeministrit se me punën e tij u frenua kërcënimi nga Hamas-i, tani duken si delir dhe vetëkënaqësi. Teksa përpiqet të shmang dënimin në një rast korrupsioni, Netanyahu gjithashtu ka formuar një qeveri që mbështetet në partitë e së djathtës ekstreme. Këto parti kanë mbështetur agresionin e shtuar të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor. Forcat e ushtrisë u drejtuan në Bregun Perëndimor, për të kontrolluar dhunën që rezultoi – gjë që dobësoi mbrojtjen e vendit në kufirin me Gazën.

Megjithatë, e djathta izraelite dhe e djathta ekstreme kanë të gatshme një kundër-narrativë. Janë gati të fajësojnë opozitën dhe inteligjencën për dobësimin e sigurisë së vendit.

Në muajt e fundit, ka pasur demonstrata të mëdha antiqeveritare, duke protestuar kundër reformave gjyqësore të shtyra nga Netanyahu që opozita thotë se e kërcënojnë demokracinë e Izraelit. Disa figura të larta nga bota e sigurisë i kanë mbështetur këto demonstrata dhe shumë rezervistë izraelitë kanë refuzuar të lajmërohen për detyrë.

Kur kreu i Shin Bet-it – shërbimit të brendshëm të inteligjencës izraelite – në fillim të këtij viti paralajmëroi Netanyahun se sulmet vdekjeprurëse të kolonëve kundër palestinezëve do të shtojnë kërcënimet e sigurisë ndaj Izraelit, ai u denoncua ashpër nga anëtarët e partisë Likud të Netanyahut. Një deputet i Likud-it u ankua: “Ideologjia e së majtës ka arritur në nivelet më të larta të Shin Bet-it. Njerëzit e politikës janë infiltruar në udhëheqjen e Shin Bet-it dhe në IDF [Forcat Mbrojtëse të Izraelit]”.

Në javët e ardhshme, e djathta ekstreme sigurisht që do t’i përsërisë këto argumente, pasi kërkojnë hakmarrje kundër Hamas-it. Por, hetimi i Izraelit do të duhet të shkojë përtej dështimit të menjëhershëm të inteligjencës dhe të sigurisë – sado thellë kjo të shkojë. E gjithë strategjia e Netanyahut ndaj palestinezëve, tani duket si dështim.

Kjo në thelb përfshinte frenimin dhe “tkurrjen” e konfliktit me palestinezët – duke u ofruar siguri qytetarëve izraelitë, zhvillimin e ekonomisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me shtetet arabe. Netanyahu besonte se Izraeli mund të përballej me sulmet e herëpashershme me raketa dhe se do t’ia dilte mbanë me dënimin ndërkombëtar për bllokadën e Izraelit ndaj Gazës.

Udhëheqësi izraelit hodhi poshtë argumentin se Izraeli nuk do të pranohet kurrë në Lindjen e Mesme, derisa të mos bëjë paqe me palestinezët. Në vend të kësaj, argumentoi se vendosja e marrëdhënieve normale me fqinjët arabë të Izraelit, do të ndihmonte në arritjen e paqes së brendshme – duke ndërprerë mbështetjen e jashtme për palestinezët.

Ky plan merrte vrull – me llafet e shtuara se Izraeli dhe Arabia Saudite ishin në prag të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Por, ky normalizim tani ka të ngjarë të frenohet. Teksa pjesa më e madhe e mbulimit mediatik perëndimor – për këtë krizë – do të fokusohet në tmerret e kryera nga Hamas-i, fokusi në Lindjen e Mesme ka të ngjarë të jetë te vuajtjet e palestinezëve të goditur nga sulmet izraelite në Gazë. Në këtë klimë, ka gjasa të jetë e pamundur arritja e marrëveshjes Izrael-Arabi Saudite.

Megjithatë, teksa ka rënë strategjia e Netanyahut për Palestinën, nuk është aspak e qartë se çfarë mund ta zëvendësojë atë. Në klimën aktuale të pikëllimit dhe të tërbimit brenda Izraelit, është e pashmangshme që qeveria të mbështesë një përgjigje të egër ushtarake. Por, qeveria izraelite nuk e ka ende ndonjë vizion që shkon përtej vrasjes së liderëve të Hamas-it.

Në aspektin afatgjatë, është e vështirë të besohet se Izraeli tani e tutje mund të pranojë kontrollin e Hamas-it mbi Gazën. Por, megjithëse flitet shumë për dërgimin e ushtrisë izraelite në Gazë, kjo duket si kurth. Siç thekson studiuesi Lawrence Freedman, ushtria “as nuk e ka kapacitetin dhe as fuqinë rezistuese për të marrë kontrollin mbi Gazë. Ky mbetet një territor prej dy milionë banorëve dhe meqë ata nuk kanë ku tjetër të shkojnë, do të qëndrojnë aty, gjithnjë të zemëruar”.

Tronditja dhe tërbimi në Izrael t’i kujtojnë emocionet në ShBA, pas 11 shtatorit [2001]. Kjo provokoi një shfaqje të unitetit dhe të fuqisë amerikane. Gjithashtu çoi në “luftën kundër terrorit” që ishte një dekadë të gjatë – të cilën shumë amerikanë tani e konsiderojnë si të keqkuptuar dhe vetëshkatërruese. Izraeli mund të jetë duke shkuar në të njëjtën rrugë të rrezikshme. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti

Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti

Magazina
VAR sinjalizoi për kartonin e kuq

VAR sinjalizoi për kartonin e kuq "më të keq në histori" në ligën e Francës, ndërsa tifozët thonë 'ne menduam se Liga Premier ishte keq'

Ligue 1
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse

Botë
Nga Spanja raportojnë se Lunin ka arritur marrëveshje me gjigantin e Ligës Premier

Nga Spanja raportojnë se Lunin ka arritur marrëveshje me gjigantin e Ligës Premier

Premier League
Kalo në kategori