LAJMI I FUNDIT:

​Lobimi kundër Kosovës në KiE, qeveria akuzon Serbinë se po e shkel marrëveshjen e Brukselit

​Lobimi kundër Kosovës në KiE, qeveria akuzon Serbinë se po e shkel marrëveshjen e Brukselit

Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë se është distancuar nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në ekzekutivin kosovar, thonë se lobimi aktiv i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe letra e kryeministres serbe, Ana Brnabiq drejtuar Bashkimit Evropian, e kanë sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore që do t’ia pamundësojnë zbatimin e saj.


Sipas tyre, fajtor është edhe përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti ta bindë Serbinë për nënshkrim të ujdisë dhe zbatim të saj.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit, Albin Kurti, thotë për KosovaPress, se Serbia me veprimet e fundit e ka kontestuar ekzistencën e marrëveshjes së Brukselit.

“Serbia është distancuar nga marrëveshja dhe ka dërguar letër në Bashkimin Evropian, ku thotë se marrëveshja nuk është e obligueshme ligjërisht për Serbinë dhe nuk është e pranueshme në tërësinë e saj.

E ka sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore të cilat e pamundësojnë zbatimin e saj…Kjo është problem, në vend që të fokusohemi në zbatimin e saj, Serbia po e konteston ekzistencën e saj. Prandaj nënshkrimi i marrëveshjes është bërë i nevojshëm për të siguruar ligjshmërinë e saj. Një marrëveshje që duhet konsideruar ligjërisht e obligueshme, duhet të pranohet nga dy palët”, thotë ai.

Sipas tij, letra e krerëve institucional dërguar Këshillit të Evropës konfirmon vetëm gatishmërinë e Kosovës për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, duke përfshirë edhe Asociacionin, mirëpo pas anëtarësimit në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

“Letra që i është dërguar Këshillit të Evropës nga krerët e institucioneve të Kosovës është vazhdimësi edhe në të shkruar e zotimeve që ne japim publikisht për zbatim të plotë të marrëveshjes që e kemi arritur në Bruksel, në shkurt të vitit të kaluar. Nuk ka ndonjë gjë të re në këtë drejtim. Aty jemi të zotuar se do të zbatojmë mbi bazën e Kushtetutës edhe në letër siç e keni parë, brenda kompetencave të qeverisë dhe në përputhje me kushtetutën.

Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës do të merren të gjitha hapat për zbatimin e plotë të marrëveshjes. Por nuk mund të nxirret një nen nga marrëveshja, kur kemi mohimin në tërësi të ligjshmërisë së marrëveshjes dhe mohimit të disa neneve të marrëveshjeve, duke përfshirë edhe nenin katër mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare”, shton ai.

Duke folur për rolin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, teksa është në përfundim të mandatit, Zulfaj thotë se kanë pasur mospajtime për shkak të qasjes së tij dhe mosbarazisë ndërmjet palëve.

“Sigurisht ne kemi pasur mospajtime të cilat i kemi bërë edhe publike për mënyrën dhe qasjen në dialog sepse barazia e palëve për ne ka qenë dhe mbetet qenësore. Temat të cilat shtrohen kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve që qojnë drejt njohjes reciproke…Marrëveshjen që e kemi arrit është mundësi e humbur që nuk kanë arrit të sjellin Serbinë për të nënshkruar.

Mendoj se në këtë drejtim dhe këtë dritë duhet të shihet edhe puna e emisarit. Një marrëveshje të cilën ishte i angazhuar nuk arriti të sjell Serbinë që ta nënshkruaj dhe tash kemi qëndrimin publik dhe zyrtarë të Serbisë kundër kësaj marrëveshje edhe në të shkruar. Në prapavijë ajo që len është kjo marrëveshje dhe këtë aneks që po e konteston Serbia, në këtë pikë jemi”, thekson Zulfaj.

Në anën tjetër, Zulfaj për KosovaPress flet edhe për qeverisjen tri vjeçare, ku rendit sukseset që sipas tij janë arritur.

Ai përmend zhvillimin ekonomik, progresin demokratik dhe shtrirjen e sovranitetit në veri, derisa thekson se s’kanë pasur asnjë aferë korruptive.

“Zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik, shtrirja e sovranitetit, forcimi i shtetit, forcimi dhe investimi në mbrojtje, investimi tek të rinjtë në kthimin e trurit dhe promovimi i eksportit, mendoj se në këto fusha në të gjitha kemi punuar.

Kemi 6.2 për qind rritje ekonomike mesatare për tri vite, ndërkohë janë investuar investimet e huaja direkt. Kemi raportin eksport-import nga 1.9 e kemi sjell në 1.6. Vitin e kaluar patëm investimet më të mëdha kapitale ndonjëherë në Kosovë me 555 milionë, kemi 420 mijë vende aktive të punës, pra 20 për qind më shumë sesa kishim në vitin paraprak.

Kjo tregon për formalizmin e madh të ekonomisë që kemi bërë… Të përmendësh praktikën e lidhjes së një kontrate me sugjerimin që vetëm praktika e lidhjes së asaj kontrate sipas asaj procedure është korrupsion nuk është e saktë. Në këtë drejtim ka akuzë të pabazë, siç akuzon opozita për shumë gjëra pabazë dhe kjo është një prej akuzave të pabazë. Nuk ka asnjë aferë korruptive në kontratat njëburimore. Lirisht le të hetohen dhe nëse ka bazë atëherë është shqetësim i duhur”, thotë ai.

Sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti, Zulfaj, thotë se janë të gatshëm për një gjë të tillë, por vetëm kur të dakordohen me partitë opozitare për datën e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Kuvendit.

“Pëlqyeshmëria e qytetarëve për punën e kryeministrit rezulton pak a shumë me votat që janë marrë me fitoren e 14 shkurtit 2021, pa përfshirë edhe diasporën në këtë matjen që bën UNDP-ja me pulsin publik dhe mbi 40 për qind për punën e qeverisë.

Ndërkohë e dimë që zgjedhjet e ardhshme janë në dimrin e vitit 2025. Prandaj duke ditur që në dimër është një sezon më e vështirë për nga kushtet e motit për zgjedhje dhe duke parë që vazhdimisht opozita është e interesuar për zgjedhje për këtë vit. Sigurisht mund të ulemi të bisedojmë dhe kur të shpërbëjmë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje”.