LAJMI I FUNDIT:

Lluka me përfaqësuesit e ENTSO-E, flet për implementimin e marrëveshjes për energji

Lluka me përfaqësuesit e ENTSO-E, flet për implementimin e marrëveshjes për energji

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot përfaqësuesit e ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë), Peter Hoffmann dhe Laurent Rosseel.

Këta përfaqësues po qëndrojnë në një mision fakt-mbledhës lidhur me problemet që ka Kosova në faturimin dhe furnizimin energjisë elektrike në Veri te vendit, devijimet në sistem të muajve të fundit si dhe pengesat që po i bën Serbia për operimin e KOSTT-it zonë e pavarur rregullues, si çelës për eliminimin e problemeve me te cilat po ballafaqohet rrejti i transmisionit në Kosovë.


Ministri Lluka theksoi se Kosova është e interesuar në implementimin e marrëveshjes së Brukselit për energji, por është pala serbe që me vite po iu bën obstruksion obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, duke i shkaktuar humbje financiare dhe probleme teknike në operim KOSTT-it.

“Përkundër bllokadave të shumta nga Serbia ne jemi duke implementuar kërkesat që dalin nga pako e tretë të ligjeve për energji në lidhje me hapjen e tregut dhe integrimit drejt një tregu regjional te energjisë”, tha Lluka, duke shtuar se në këtë kontekst shpreson që edhe ENTSO-E të ndihmojë në këtë proces duke llogaritur që KOSTT ka dëshmuar teknikisht se i plotëson kriteret për të operuar si zonë e pavarur rregulluese dhe të qenit anëtar i ENTSO-E. /Telegrafi/