Liverpooli mund të mbetet pa Ligën e Kampionëve, Slot tregon se çfarë duhet bërë

Sezoni i Liverpoolit është larg pritshmërive dhe trajneri Arne Slot e ka pranuar hapur se objektivi tashmë është një vend në katërshen e parë.
Me 13 xhiro të mbetura në Ligën Premier, kampionët në fuqi janë 17 pikë prapa liderit Arsenal, pas humbjes dramatike 2-1 ndaj Manchester Cityt – disfata e tetë në kampionat këtë sezon.
Liverpooli mbetet ende në garë në Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA, por në kampionat ambiciet janë ulur ndjeshëm. Para përballjes së së mërkurës kundër Sunderland, Slot theksoi se skuadra e tij duhet të jetë “afër përsosmërisë” për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Aktualisht, Liverpooli renditet i gjashti, pesë pikë pas Manchester Unitedit të vendit të katërt dhe katër pikë pas Chelseat të vendit të pestë. Katër vendet e para çojnë direkt në Ligën e Kampionëve, ndërsa ekziston mundësia që Anglia të sigurojë edhe një vend shtesë falë performancave të mira në Evropë.

“Për të ngushtuar një diferencë prej katër ose pesë pikësh, duhet të fitosh shumë. Dhe këtë nuk e kemi bërë shpesh këtë sezon. Duhet të jemi më të mirë, duhet të jemi afër përsosmërisë. Nëse nuk luajmë në Ligën e Kampionëve, sezoni nuk do të jetë i pranueshëm”, deklaroi Slot.
Liverpooli ka fituar vetëm një herë në shtatë ndeshjet e fundit në ligë, dhe trajneri holandez e pranoi se ky është sezoni më sfidues në karrierën e tij.
“Lojtarët nuk janë mësuar të humbasin shumë, as unë. Është më e vështirë t’i motivojmë pas një humbjeje, por edhe nga kjo situatë po nxjerrim mësime dhe po shoh përparim,” përfundoi ai. /Telegrafi/















































