Lista serbe paralajmëron tubimin zgjedhor në veri të Mitrovicës me këngëtaren proruse

Lista serbe sot ka planifikuar organizimin e një "koncerti" në formë të tubimit elektoral në sheshin e Mitrovicës së Veriut, saktësisht te busti i “Car Lazarit” vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale, që mbahen më 12 tetor.
Sipas një publikimi të Listës serbe në rrjetet sociale bëhet e ditur që në këtë "koncert" do të marr pjesë këngëtarja serbe me prirje pro-ruse, Andela Ignjatoviq, e njohur me emrin artistik “Breskvica”.

Ajo njihet për interpretimin e këngës nacionaliste “Foleja e Shqiponjës”, që përmban mesazhe për “rikthimin e Serbisë në Kosovë”.
Telegrafi ka kontaktuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani i cili konfirmoi mbajtjen e një tubimi nga Lista serbe, por nuk komentoi 'koncertin" ku pritet të marrë pjesë Breskvica.
“Është një tubim elektoral i Listës serbe”, tha shkurt Elshani.
Gjithashtu, për të verifikuar nëse ka marrë leje për mbajtjen e këtij “tubimi”, Telegrafi është përpjekur të kontaktojë kryetaren e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), Ivana Kompiroviq, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ajo.
Ngjarja organizohet me logon zyrtare të Listës Serbe, e cila në mënyrë të qartë e identifikon këtë event si pjesë të agjendës së saj politike“Breskvica në qytetin tonë – 8 tetor, ora 20:00, Knez Caffe, Mitrovicë e Veriut” si dhe shkruhet se “Biletat mund të merren në zyrat e Listës Serbe”.
Ndryshe, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq në një deklaratë për Telegrafin tha se ata që shprehin kundërshtime ndaj Listës Serbe po trajtohen si armiqtë më të mëdhenj.
Sipas tij, përveç presioneve politike, serbët po përballen edhe me largime nga puna. /Telegrafi/




















































