LAJMI I FUNDIT:

Lirohet zyrtari i Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica

Lirohet zyrtari i Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica

Është liruar në procedurë të rregullt zyrtari i Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, i cili të premten së bashku me dy zyrtarë të qendrës për Punë Sociale ishin ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për keqpërdorim të detyrës.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Mahmut Halimi.


“Po, Fadil Aliu është liruar në procedurë të rregullt, nuk kam më shumë informata vetëm më lajmëruan se është liruar prej arrestit dhe tash është në shtëpi”, ka thënë Halimi, duke mos dhënë më shumë detaje.

Arrestimi i tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, LVV: Kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të organizuar
Lexo po ashtu Arrestimi i tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, LVV: Kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të organizuar

KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga vet Fadil Aliu-Hertica, por ai nuk është lajmëruar në telefon.

Fadil Aliu-Hertica ishte emëruar në Bordin e përkohshëm të Postës së Kosovës nga Qeveria Hoti në vitin 2020.

Ai gjithashtu ishte kandidat për deputet nga partia që drejton ekzekutivin në kryeqytet, LDK.

Të premten tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për keqpërdorim të pozitës. Dy të arrestuarit tjerë V. M. dhe V. M., dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në Qendrën për Punë Sociale.

Lidhur me këto ndalime të zyrtarëve komunalë, nga ana e policisë është intervistuar edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka theksuar ai.