LAJMI I FUNDIT:

Lirimi i pajisjeve teknologjike nga tatimet doganore konsiderohet i vonuar

Lirimi i pajisjeve teknologjike nga tatimet doganore konsiderohet i vonuar
computers room

Njohësit e fushës së teknologjisë vendimin për lirimin nga tatimi doganor për të gjitha pajisjet themelore të teknologjisë informative e konsiderojnë të vonuar, edhe pse zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë thënë se ky vendim do ta nxisë hapjen e bizneseve të reja inovative.

Drejtori ekzekutiv i Qendra Inovative e Kosovës (ICK), Uranik Begu, ka thënë për Telegrafin, se vendimi për lirim është i vonuar, por që mund ta përmirësojë sektorin e teknologjisë dhe informacionit.

“Është një vendim i vonuar, por sigurisht është një prej masave për përmirësimin e ekosistemit të sektorit të teknologjisë dhe informacionit dhe po shpresojë që nuk do të mbetet me kaq”, tha Begu për Telegrafin.

Sipas Begut, duhen masa shtesë për zhvillimin e sektorit dhe përkrahjen e të rinjve.

“Sigurisht që do ta lehtëson zhvillimin e të rinjve dhe të sektorit, mirëpo duhen edhe masa shtesë që janë masa përcjellëse që kjo t’i jep frytet e veta dhe për të pasur një ndikim në zhvillim të sektorit. Jemi duke punuar dhe me Ministrinë e Inovacionit dhe ministritë e tjera relevante që të kërkojmë ato masat tjera, të cilat do t’i nxiste të rinjtë të merren me profesionin e së ardhmes”, tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të këtij vendimi, ka thënë se vendimi është një mundësi e mirë për të gjithë ata që duan të të hapin biznese të reja inovative.

Sipas tij, marrja e këtij vendimi për lirim vjen pas lirimit nga tatimi doganor për lëndë të parë, gjysmë produkte, linja të prodhimit dhe pajisje të teknologjisë informative për prodhues.

“Kemi pasur takime intensive me komunitetin e biznesit duke përfshirë këtu të gjitha Odat, Klubet dhe Këshillat që veprojnë në Kosovë në emër të subjekteve prodhuese, tregtare dhe zejtare, kemi dëgjuar për së afërmi sfidat me të cilat vazhdon të përballet komuniteti i biznesit në vend, po ashtu kemi pranuar të gjitha kërkesat e tyre për t’i përfshirë ato në ndryshimet e ardhshme”, tha ministri Hamza.

Ai gjithashtu tha se vendimi do të ketë ndikim financiar në buxhet, por ndikimi më i madh i tij, do të jetë pozitiv dhe do të ndikoj në zhvillimin e sektorin e prodhueseve privat dhe ofrimin e shërbimeve.

“Vendimet të cilat janë marrë nga Qeveria për lirime janë vendime të cilat kanë ndikim financiar në buxhet, por ndikimi më i madh i tyre do të jetë pozitiv dhe do të ndikoj në zhvillimin e sektorit të prodhuesve privat dhe ofrimin e shërbimeve. Gjithashtu, pritjet tona janë që këto vendime do të na sjellin rezultat shumë pozitiv në zhvillimin ekonomik sikur që na kanë sjellë vendimet të cilat janë në fuqi nga 01 janari 2018”, ka shtuar Hamza.

Lista e plotë e pajisjeve të teknologjisë informative që janë liruar nga tatimet

– Printerët, skanerët të cilët lidhen me kompjuterë

– Të gjitha ngjyrat që lidhen me çipa të ketrigjave

– Serverët, shtëpizat, etj

– Kartelat amë, RAM, qendra e procedimit qendror të të dhënave, DD RAM, SD RAM

– Të gjitha makinat për zyre apo ato të cilat mund të përdoren në ofrimin e shërbimeve

– Furnizuesit me rrymë, invertorët për sistem kompjuterik, modemet, ruterat, etj

– Altoparlantët për sisteme kompjuterike

– Mediumet optike, CD, DVD Softuer, Softuer rrjeti, etj

– USB, Flash, etj

– Video digjital kamerat për sisteme kompjuterike

– Monitorët monokrom, me ngjyra në forma LCD, LED OLED, etj

– Modulet digjitale

– Konektorët për fibra optike, kabllo optike, etj

– Bordet, panele dhe kabinat për të dhëna

– Modulet dhe pajisjet për Box Digjital. /Telegrafi/