Sulmuesi Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde edhe në sezonin 2025 të MLS, duke vendosur dy arritje të reja historike teksa Inter Miami mposhti bindshëm FC Cincinnati me rezultat 4-0 dhe u kualifikua për herë të parë në finalen e Konferencës së Lindjes.

Ylli 38-vjeçar shënoi një gol dhe dha tre asistime, duke e udhëhequr ekipin e Javier Mascheranos drejt fitores së madhe në “TQL Stadium”.


Me këtë paraqitje, Messi është ngjitur në krye të listës për numrin më të madh të kontributëve (gola + asistime) në një edicion të vetëm të fazës së playoffit të MLS Cup.

Në katër ndeshje pas sezonit nën drejtimin e Mascheranos, argjentinasi ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime. Kujtojmë se ai realizoi pesë gola dhe tre asistime në serinë e parë ndaj Nashville SC.

Me këtë formë të jashtëzakonshme, Messi ka arritur edhe një tjetër moment historik personal: ai ka prekur shifrën e 1 mijë e 300 kontributëve në gola në të gjitha garat përgjatë 1 mijë e 135 ndeshjeve me Barcelonën, Paris Saint-Germainin, Inter Miamin dhe Kombëtaren e Argjentinës.

Të dielën, Messi e hapi ndeshjen me gol në minutën e 19-të me një goditje me kokë pas asistimit të Mateo Silvettit, ndërsa më pas organizoi lojën në mënyrë perfekte për dygolëshin e Tadeo Allendes dhe golin e dytë të Silvettit.

Legjenda e Barcelonës tani ka 11 gola dhe 11 asistime në shtatë ndeshjet e fundit, duke kontribuar në të gjitha përveç tre golave të Inter Miamit gjatë kësaj periudhe. Ai mesatarisht po regjistron një kontribut në gol çdo 28.6 minuta.

Kjo natë historike i çon shifrat e Messit për vitin 2025 në 43 gola dhe 28 asistime në 47 ndeshje në të gjitha garat — numra të mjaftueshëm që ai të sigurojë edhe “Këpucën e Artë” të MLS, me 29 gola dhe 19 asistime në sezonin e rregullt.

Tani, Messi është në kërkim të një rekordi tjetër: numrin më të madh të golave në një edicion të vetëm të play-offit të MLS Cup. Rekordin aktual e mban Carlos Ruiz, me tetë gola në sezonin 2002 me LA Galaxy./Telegrafi/

telegrafi sport app