LAJMI I FUNDIT:

Ligji për Prishtinën – mungesë e paarsyeshme edhe këtë vit

Ligji për Prishtinën – mungesë e paarsyeshme edhe këtë vit

Prishtina duhet ta ketë ligjin e vet, jo vetëm pse është obligim kushtetues, por edhe sepse kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së jetës që qytetarëve dhe në krijimin e kushteve për një qeverisje më të mirë dhe më të përgjegjshme komunale.

1. Ndonëse politika në Kosovë rrallë mund të më habisë, mund të them se u habita për mos përfshirjen e Projektligjit për Kryeqytetin në strategjinë legjislative për vitin 2014 nga ana e qeverisë. Kështu, si duket, odiseada e nisur më 2008 e mosmiratimit të ligjit për Prishtinën, do të vazhdojë edhe këtë vit.


Domosdoshmëria e miratimit të këtij ligji jo vetëm që është një obligim kushtetues, por, siç po shihet, është domosdoshmëri për të krijuar kushtet për një qeverisje më të mirë komunale dhe një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët e kryeqytetit. Debatet para dhe gjatë fushatës së fundit për zgjedhjet komunale më krijuan përshtypjen se politika do ta marrë më seriozisht miratimin e një ligji të tillë.

Siç duket, mosmiratimi i tij do të vazhdojë të jetë peng i kundërshtive politike joparimore, e jo i debateve përmbajtjesore në dobi të qytetarëve të Prishtinës. Dhe, nëse deri dje kemi pasur një ngërç në relacionin PDK-LDK, tani me ardhjen e LVV-së në krye të Prishtinës, ky ngërç po shndërrohet në një trekëndësh, nga i cili qytetarët do të kenë vetëm dëme. Ajo që është për brengosje nuk është fakti që nuk po futet në strategjinë legjislative projektligji i cili ka vite që ka mbetur në sirtarët e ministrive, por fakti se nuk ka qasje serioze për ta zgjidhur këtë çështje.

Gjatë fushatës u trajtua goxha shumë çështja e këtij ligji, jo vetëm nga kandidatët, përfshirë mua, por edhe nga shoqëria civile, mediat dhe qytetarët. Emërues i përbashkët do të mund të thuhej se ishte domosdoshmëria për të pasur një ligj të tillë, por duke përfshirë në hartimin e tij të gjitha subjektet politike, shoqërinë civile, si dhe qytetarët e kryeqytetit. Një qasje e tillë do ta bënte këtë proces jo vetëm shumë më transparent, por do t’ia jepte edhe vulën e konsensusit aq të nevojshëm për projekte të tilla.

2. Për të gjithë qytetarët do të ishte e rëndësishme të shihej se qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit po e trajtojnë me seriozitet faktin se Prishtina duhet të ketë një ligj të posaçëm. Në këtë drejtim do të ishte e rëndësishme që ky proces të fillojë si produkt i një konsensusi politik, e jo si përpjekje për të fituar vota e pikë politike, ashtu siç ka qenë deri më tani. Dëmet që i shkaktohen qytetit dhe qytetarëve, nuk janë vetëm në shifrat disamilionëshe për një vit buxhetor, por edhe vazhdim i një ndarjeje territoriale që e bën komunën joefikase në ofrimin e shërbimeve të veta, si dhe në vazhdimin e një gjendjeje absurde kur komuna e Prishtinës, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, ka më pak kompetenca dhe fuqi në ushtrimin e pushtetit komunal, sesa Kllokoti, Parteshi a Ranillugu.

Edhe vetë debati që sot ka filluar të bëhet në mes të udhëheqjes së re komunale dhe të qeverisë qendrore, por edhe të qeverisë së mëhershme komunale rreth çështjes së ujit, dëshmon sesa dëmtohet Prishtina me vetë faktin se çështjet jetike të kryeqytetit, që realisht nuk kanë të bëjnë me dallime në politika zhvillimore, por me ato jetike si uji, bëhen kalë beteje në mes të subjekteve të ndryshme politike.

Një ligj për kryeqytetin, i cili do të vinte pas një debati të mirëfilltë në mes të subjekteve politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve do të përfundonte domosdo me një pajtueshmëri bazë, siç është një shtesë e përgjegjësive të komunës së Prishtinës në menaxhimin e kryeqytetit. Në këtë kontekst do të duhej të trajtohej edhe mënyra sesi do të ri-ndahej përgjegjësia në mes të nivelit qendror dhe atij lokal edhe për çështjen e menaxhimit të ndërmarrjeve rajonale, të cilat tani janë nën qeverinë qendrore si ajo e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës, por e cila ka një efekt të drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Prishtinës.

Jemi dëshmitarë se pushteti i ri në komunën e Prishtinës, i cili ka ardhur në pushtet ndër të tjera edhe duke e pasur një kartë të fortë elektorale çështjen e ujit, po ballafaqohet që në ditët e para me vështirësi të mëdha që po dalin nga mungesat e ujit, për shkak të thatësisë që po mbretëron, si dhe një marrëdhënieje jo të duhur në mes të institucioneve të vendit përgjegjëse për këtë çështje. Dhe, zgjidhja e këtij problemi, normalisht nuk qëndron vetëm në udhëheqjen komunale, por në një bashkëpunim të ngushtë në trekëndëshin qeveri komunale, qeveri qendrore dhe KUR Prishtina. Atë që e kam theksuar edhe gjatë fushatës, duhen bërë përpjekje maksimale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të qeverisë qendrore dhe asaj lokale, dhe për këtë është i nevojshëm përveç qasjes politike parimore dhe një kornizë ligjore e cila nuk të lejonte institucionet e vendit të vendosnin marrëdhënie në bazë të preferencave politike dhe për më tepër të shfrytëzojnë ato institucione në betejën politike, e cila gjithnjë thyhet në kurriz të qytetarëve.

3. Andaj duhet urgjentisht që projektligji për Prishtinën jo vetëm të futet në strategjinë legjislative, por edhe të krijohet një agjendë e qartë në mes të të gjithë aktorëve dhe institucioneve të vendit për ta draftuar këtë ligj, apo modifikuar projektligjin ekzistues. Nëse qeveria vazhdon me kokëfortësi që këtë projektligj të mos e trajtojë si një prioritet, atëherë konsideroj se është detyrë e deputetëve të partive opozitare që ta iniciojnë miratimin e një ligji të tillë, si nismë ligjore të Kuvendit. Kjo po del si domosdoshmëri kur shihet që presionet, ankesat dhe denoncimet publike janë të pafuqishme për ta shtyrë këtë çështje përpara.

Përkrahja nga shoqëria civile, mediat dhe qytetarët jo vetëm që nuk do të mungojë, por ajo do të jetë një motiv dhe presion shtesë që edhe qeveria të futet në këtë proces sa më shpejt. Fakti se jemi në një vit elektoral nuk do të duhej të na pengonte që të fillojmë të sillemi si një shoqëri e pjekur, kur kemi të bëjmë me interesin e qytetarëve. Shembulli i dy deputetëve të Lëvizjes për Bashkim, të cilët iniciuan ligjin për zonën e veçantë mjedisore të Obiliqit (i cili në këtë moment është i miratuar në parim), duhet të shërbejë si model për të gjithë deputetët dhe të gjitha subjektet politike.