LAJMI I FUNDIT:

Ligji për Pagat në sektorin publik nuk po i gëzon të gjithë

Ligji për Pagat në sektorin publik nuk po i gëzon të gjithë

Ligji për Pagat, i cili pritet të hyjë në fuqi nga një dhjetori i këtij viti, nuk po i gëzon të gjithë.

Madje punëtorët e disa ndërmarrjeve publike paralajmërojnë edhe protesta dhe greva në rast se do të përfshihen në këtë Ligj. E në Ministrinë e Financave, kanë thënë se gjithçka është gati për zbatimin e tij dhe se mjetet financiare janë të mjaftueshme për mbulimin e kostos financiare.


Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, ka thënë se Ligji për Pagat bën dallime mes sektorëve, e që sipas tij, Qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë.

“Unë besoj që këtu do të ketë një konfuzion shumë të madh, situatë të paqartë dhe nëse qeveria dhe kuvendi i ardhshëm nuk e amendamentojnë këtë Ligj për të përmirësuar pozitën e shërbyesve civilë, atëherë sigurisht që ky ligj ka për t’u bërë i pamundur për t’u zbatuar”, ka thënë ai

Ndërsa Skender Bucolli, drejtor në Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në KEK, në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën, ka thënë se defekti kryesor i këtij Ligji është barazimi i punëtorëve të KEK-ut në prodhim me personel administrativ dhe shërbyes civilë.

Ai ka thënë se është e pamundur që niveli aktual i sistematizimit të pagave për punëtorët e prodhimit, inxhinierët dhe specialistët e fushave kritike, të futet brenda kufijve që ka përcaktuar ky Ligj.

Pagat e sektorit publik që nga dhjetori me rritje – të dhëna që tregojnë se kush janë disa nga përfituesit
Lexo po ashtu Pagat e sektorit publik që nga dhjetori me rritje – të dhëna që tregojnë se kush janë disa nga përfituesit

KEK-u ka bërë me dije se do të respektojë ligjin prej momentit që hyn në fuqi, por kjo do të ketë pasoja të paimagjinueshme negative në operimin e KEK-ut si dhe prodhimin e qymyrit dhe energjisë elektrike në nivel nacional.

Edhe Lami Balaj, nga Sindikata e Pavarur e PTK-së, ka thënë se Ligji për Pagat e ka radhitur Telekomin në një paketë me ato ndërmarrje që financohen nga buxheti i Kosovës.

“Ne jemi kompani me konkurrencë në treg dhe nuk mundemi me qenë të kushtëzuar për paga, sepse ne punojmë mbi bazën e ekspertëve dhe në vazhdimësi ndjekim konkurrencën në treg”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se Telekomi i ka sjellë vendit 500 milionë euro dhe nuk ka se si të përfshihet në Ligjin për pagat, sepse sipas tij Telekomi është vetë financues.

Balaj ka thënë se për këtë kanë bërë ankesë te Avokati i Popullit dhe në rast se nuk ndërmerret diçka do të detyrohen të nisin protesta dhe greva.

Kundërshtues të Ligjit për Pagat janë edhe KOSTT-i, RTK-ja dhe disa punëtorë teknikë në sektorë të ndryshëm publikë.

Në një përgjigje me shkrim Zyra e Avokatit të Popullit, i ka thënë Radio Kosovës se deri më tani ka pranuar 20 ankesa lidhur me Ligjin për Pagat, jo vetëm nga sindikatat, por nga grupe të ndryshme, të cilët konsiderojnë se ky Ligj ndikon negativisht në interesat e tyre.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit mund të ngritë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën brenda afatit prej gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Afati ligjor për ngritjen e çështjes në fjalë fillon të rrjedhë nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat. /RTK/