Ligji për Investime Strategjike është pritur se do të rris interesimin e investitorëve të huaj në Kosovë, por siç shihet efektet e këtij Ligji nuk janë duke u vërejtur në terren.

Edhe ekonomistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se edhe me këtë Ligj suksesi në tërheqjen e investimeve nuk është i garantuar.

Drejtori i ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Telegrafin, se Ligji nuk po gjeneron rezultate konkrete.

“Ligji për Investime Strategjike do të duhej të ishte një ligj i rëndësishëm që ofron fleksibilitet në komunikim me investitorët strategjikë, por edhe lehtësira për këta investitorë potencialë. Është për keqardhje që tash e sa kohë që Ligji është në fuqi, me gjithë bujën me të cilën është promovuar Ligji, ai nuk gjeneron rezultate konkrete”, ka thënë Zeka.

Ai tha se tejkalim i afateve ligjore për kthim të përgjigjes për investitorin është shenjë e joseriozitetit në punën e institucioneve përgjegjëse.

“Ka disa aplikacione që tashmë janë dorëzuar në MTI nga ata që synojnë të marrin statusin e investitorit potencial, por që nuk kanë marrë ende përgjigje për sa i përket aplikimit te tyre. Ligji i parasheh në mënyrë eksplicite afatet kohore për trajtim të aplikacioneve të tilla, prandaj secili tejkalim i afateve ligjore për kthim të përgjigjes do të ishte jo vetëm respektim i Ligjit por edhe shenjë e joseriozitetit në punën e institucioneve përgjegjëse”, tha Arian Zeka.

Ndërsa, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) që nga fillimi i zbatimit të Ligjit janë dorëzuar nëntë aplikacione, por ka mungesë të kompletimit të dokumentacionit.

“Që nga fillimi i zbatimit të Ligji për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës, kanë dorëzuar aplikacionin e tyre nëntë aplikantë, për të marr statusin e investitorit strategjik, mirëpo ka mungesa në kompletimin e dokumentacionit sipas Udhëzimit Administrativ. MTI si përgjegjëse për zbatim te ligjit për investime strategjike ka trajtuar aplikimet sipas Udhëzimit Administrativ për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Përcaktimin e Statusit të Investitorit Strategjik, në të cilin janë të përcaktuara kriteret dhe kushtet për dorëzimin dhe përmbushjen e kritereve për aplikuesit për t’i përcjell në procedurat e mëtutjeshme në komisionin ndërqeveritar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të MTI-së, për Telegrafin.

Zyrtarët e MTI-së kanë thënë se deri në ketë periudhë nuk kemi aplikim të kompletuar nga aplikuesit për të proceduar në instancat e mëtutjeshme siç e parasheh Ligji.

“MTI/KIESA është në kontakt të përhershëm me aplikuesit të cilët i kanë dorëzuar dokumentacionin dhe në mënyrë permanente ka kërkesa për ri-plotësim dhe ri-dorëzim të dokumentacionit shtesë të kërkuar sipas Udhëzimit Administrativ. Andaj, deri në ketë periudhë nuk kemi aplikim të kompletuar nga aplikuesit për të proceduar në instancat e mëtutjeshme siç e parasheh Udhëzimi Administrativ dhe Ligji. Presim që në të ardhmen ndërmarrjet aplikuese apo ndonjë aplikues i ri të përmbush kriteret dhe kërkesat e legjislacionit që rregullon fushën”, theksohet në përgjigjen e MTI-së.

Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, tha për Telegrafin se për të pasur sukses në nxitjen e investimeve, ligje të tilla duhet të mbështeten edhe me reforma substanciale.

“Përveç lehtësirave në procedura dhe stimujve financiar, Kosova ka ambient më pak të përshtatshëm të të bërit biznes krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Për të pasur sukses në nxitjen e investimeve, ligje të tilla duhet të mbështeten edhe me reforma substanciale sa i përket ambientit të të bërit biznes dhe edukimit cilësorë të fuqisë punëtore”, tha Thaqi.

Ai shton se edhe me këtë Ligj suksesi në tërheqjen e investimeve nuk është i garantuar.

“Përveç lehtësirave teknike, shkurtimit të procedurave burokratike dhe incentivave financiare, investitorët kanë kërkesa edhe për siguri politike, ligjore, fuqi punëtore të aftë dhe në përgjithësi ambient të përshtatshëm të biznes-bërjes. Këto reforma është më e vështirë të arrihen, ngase kërkohet reforma më të thella, kohë, vullnet politik dhe burime financiare. Prandaj, edhe me një Ligj të tillë, suksesi në tërheqjen e investimeve nuk është i garantuar”, tha Thaqi.

Edhe me këtë Ligj, Kosova nuk ofron lirime në taksa për punëtorë e as heqje të tatimit të doganës për lëndën e parë, siç bëjnë Serbia dhe Maqedonia, thuhet në një analizë që ka zhvilluar Instituti GAP.

“Ligji për Investime Strategjike e sjellë Kosovën në një pozitë më garuese me vendet e rajonit që kanë politika të veçanta për tërheqjen e investitorëve potencialë. Me lehtësirat e krijuara, investitorët kanë më shumë arsye për ta konsideruar Kosovën si vend potencial për investim. Megjithatë, edhe me këtë Ligj Kosova nuk ofron lirime në taksa për punëtorë e as heqje të tatimit të doganës për lëndën e parë, siç bëjnë Serbia dhe Maqedonia”, thuhet në analizë, shkruan Telegrafi.

Sipas analizës “Ligji për Investime Strategjike – krahasim me shembuj nga Shqipëria, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia”, publikuar nga Instituti GAP, thuhet se suksesi i investimeve në Maqedoni është cilësuar si rezultat i kombinimit të zonave të lira ekonomike, stabilitetit makroekonomik si dhe ideve kreative.

“Suksesi i investimeve në Maqedoni është cilësuar si rezultat i kombinimit të zonave të lira ekonomike, stabilitetit makroekonomik si dhe ideve kreative për të lehtësuar kufizimet burokratike për bizneset. Një tjetër faktor për suksesin e Maqedonisë në fushën e investimeve është edhe bashkëpunimi i ngushtë me odat e huaja ekonomike prezente në Maqedoni të cilat kanë ndërmjetësuar në projektet investuese mes qeverisë dhe investitorëve të interesuar”, thuhet në analizë, shkruan Telegrafi.

Analiza tregon se investitorët në Maqedoni lirohen për disa vite nga taksa në fitim dhe kompanitë të cilat investojnë në softuer, teknologji, ose hulumtime shkencore, nuk kanë nevojë të paguajnë garancion në dogana për pajisjet e përdorura.

“Në Maqedoni investitorët brenda zonave lirohen për dhjetë vitet e para nga taksa e fitimit dhe nga taksa e pagave për punëtorët. Po ashtu, në këto zona, lënda e parë mund të futet dhe tregtohet pa tatim në vlerë të shtuar. Për më tepër, shfrytëzuesit e zonës lirohen nga pagesa e një tarife për rikonstruktim të tokës mbi të cilën ndërtohet si pjesë e investimit. Kompanitë të cilat investojnë në softuer, teknologji, ose hulumtime shkencore, nuk kanë nevojë të paguajnë garancion në dogana për pajisjet e përdorura. Format tjera të stimulimit në Maqedoni për shfrytëzuesit e zonave janë edhe ndihmat financiare për trajnim të punëtorëve. Ky stimul u mundëson punëtorëve të investitorëve të fitojnë aftësi për punë, në mënyrë që gjasat e tyre të punësimit të rriten pasi të largohet investitori. Maqedonia i ka lehtësuar edhe procedurat për regjistrimin e bizneseve përmes metodës ‘one-stop shop’, që u mundëson bizneseve regjistrim për katër orë”, vijon analiza.

Ligji për Investime Strategjike në Kosovë emëron disa sektorë strategjikë si energjia me infrastrukturë dhe miniera, transporti dhe telekomunikacioni, turizmi, industria përpunuese, bujqësia dhe industria ushqimore, shëndetësia, parqet industriale dhe teknologjike dhe administrimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave. Më pas i përcakton edhe kriteret për vende pune dhe shumën që një investim duhet t’i ketë për t’u konsideruar si strategjik.

Mirëpo, përveç lehtësirave teknike, siç janë taksat e ulëta dhe reduktimi i procedurave burokratike, investitorët e jashtëm kanë edhe kërkesa më përmbajtjesore si sundimi i ligjit, siguria e furnizimit me energji, fuqia punëtore e edukuar, si dhe në shumë raste edhe sigurinë politike.

Në muajin tetor 2016, ka hy në fuqi Ligji për Investime Strategjike, i cili ka për synim që t’i lehtësojë procedurat burokratike për investitorët potencialë në vend dhe përveç lehtësimit të procedurave, Ligji i jep të drejtën Qeverisë së Kosovës të negociojë drejtpërdrejt me investitorë dhe të nxisë investime në rast se ata i plotësojnë kriteret e përcaktuara me Ligj.

Ndryshe, ditë më parë në emisionin “Përballje” është disktuar për ekonominë dhe investimet strategjike në Kosovë. /Telegrafi/