Ligamentet e këputura në dy këmbët dhe 782 ditë jashtë fushave, rikthimi i pabesueshëm i luftëtarit Betim Fazliji: Ishte sikur fundi i botës

Të pësosh një lëndim të rëndë për shumë futbollistë e bën rikthimin jashtëzakonisht të vështirë. Por t’i këputësh dy herë ligamentet e gjurit dhe të rikthehesh sërish në fushë, kërkon diçka më shumë se forcë fizike, kërkon karakter, durim dhe një vullnet që rrallë shihet.
Betim Fazliji është një nga ata që e ka përjetuar këtë rrugëtim të dhimbshëm. Dy herë i rrëzuar, por dy herë i ngritur. Fillimisht në vitin 2023, e më pas sërish në vitin 2025.
Mbrojtësi i Kosovës, që aktivizohet me St. Gallen, ka kaluar tre vite të mbushura me sfida, sakrifica dhe momente që do ta kishin thyer shumëkënd.
Ishte mesi i nëntorit të vitit 2023, kur në një stërvitje me St. Gallenin, në kulmin e formës së tij, Fazliji këputi ligamentet e gjurit të këmbës së majtë. Një moment që ndryshoi gjithçka.
Plot 368 ditë iu deshën për t’u rikthyer. 368 ditë larg fushës, larg asaj që e do më së shumti.

Por rikthimi nuk zgjati shumë. Pas vetëm katër paraqitjeve si zëvendësues, ai u rikthye si titullar ndaj Baselit dhe kur dukej se gjithçka po shkonte drejt normales, pas vetëm tetë minutash në fushë, ndodhi goditja e dytë, një tjetër këputje e ligamenteve më 22 shkurt 2025, kësaj radhe në gjurin e djathtë.
Një tjetër fillim nga zero.
Nga ai moment, Fazliji qëndroi edhe 414 ditë jashtë fushave. Një periudhë e gjatë, e rëndë dhe sfiduese. Por fundjava që lamë pas solli dritë: ai u rikthye ndaj Luzernit, duke hyrë në minutat e fundit, ndërsa i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ta duartrokitur.
Ai nuk është thjesht një futbollist. Është një histori që flet për forcën e njeriut përballë vështirësive, pasi në tre vitet e fundit ka qëndruar jashtë fushave për 782 ditë.

Në një intervistë për Telegrafin, Fazliji ka folur për këtë periudhë të errët të karrierës së tij, dhimbjen, stërvitjet e forta, besimin në rikthim dhe gjithçka tjetër.
"Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, ndoshta më e vështira në karrierën time deri tash. 14 muaj mos me pas mundësi me jetuar jetën që e dua më së shumti, ka qenë shumë e rëndë si mentalisht ashtu edhe fizikisht. Por unë kurrë nuk kam ndalë së besuari dhe çdo ditë kam punu fort për mu kthy edhe ma i fortë", thotë fillimisht Fazliji.
Kishe të njëjtin lëndim, u riktheve dhe luajte vetëm pesë ndeshje për t'u lënduar përsëri. Çfarë mendove në atë moment?
"Në ato momente ka qenë shumë e pabesueshme, si një fund i botës për mu. Por unë jam besimtar dhe për mu gjithçka që vjen prej Zotit është e mirëseardhur. Pas disa ditësh e kam ditë që kam me u kthyer prapë dhe kam dashtë me ia dëshmuar vetes që jam i fortë dhe luftëtar", vazhdon tutje Fazliji.

26-vjeçari tregon se ku e ka gjetur forcën për të vazhduar.
"Unë krejt këtë e bëj për veten time. Qysh i vogël kam investuar çdo ditë gjithçka për me jetuar ëndrrën time si futbollist. Për mu dorëzimi kurrë nuk ka qenë opsion. Tash jam krenar me veten që e kam shty kaq fort dhe që sot jam prapë në fushë", tha Fazliji.
Tani, ai ka synime të qarta, të rikthehet në formën më të mirë dhe të fitojë trofe me St. Gallenin.
"Synimi ynë si klub është të shkojmë në finalen e Kupës dhe pastaj ta fitojmë Kupën e Zvicrës. Ndërsa në kampionat me e mbajt këtë pozitë që e kemi arrit deri tash me shumë punë".

Në fund, një pjesë e zemrës së tij mbetet gjithmonë aty ku gjithçka ka më shumë kuptim, te fanella e shtetit.
Fazliji, që ka veshur 22 herë fanellën e Kombëtares së Kosovës, nuk e fsheh mallin për rikthimin.
"Kombëtarja është ajo që ma së shumti më ka munguar. Jam shumë i lidhur me vendin tonë. Me padurim po pres ditën kur kam me qenë prapë pjesë e Kombëtares, sepse të luash për Kosovën është pa dyshim momenti ma krenar në karrierën time", përfundoi Fazliji. /Telegrafi/























































