LAJMI I FUNDIT:

​Licencimi i dy hidrocentraleve, kërkohet nga Kuvendi të shkarkojë Bordin e ZRRE-së

​Licencimi i dy hidrocentraleve, kërkohet nga Kuvendi të shkarkojë Bordin e ZRRE-së

Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë, kanë shprehur indinjatën ndaj Zyrës për Rregullatorit të Energjisë për lëshimin e licencave të operimit afatgjatë për dy hidrocentralet e Kelkos.

Ky vendim i ZRRE-së, u cilësua si i pandershëm dhe joligjor. Madje anëtarë të Komisionit kërkuan që Kuvendi të shkarkojë Bordin e këtij institucioni dhe ministrin përgjegjës.


Në mbledhjen e sotme të Komisionit, u bë e ditur edhe opinioni i Zyrës Ligjore të Kuvendit, ku vlerësohet se i njëjti nuk ka kompetencë ligjore për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve. Megjithëse anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u pajtuan me këtë.

Ndërkaq, deputetët vendosën që të mërkurën për këtë çështje të raportojë në komision, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi. Bordi i ZRRE-së, si dhe ish-sekretari dhe sekretari i dikasterit të ambientit.

Kryetarja e Komisionit, Eliza Hoxha duke komentuar vendimin e ZRRE-së, tha se ata kanë bërë një akt të pandershëm.

“Është e pandershme kur dy javë para kemi ZRRE-në këtu dhe diskutohet se kushtet për të marrë lejen mjedisore të kompanisë Kelkos nuk janë plotësuar, dhe çuditërisht brenda dy jave vina me një situatë tjetër, ku e njëjta kompani, në mënyrë selektive, jo si projekt i përbashkët merr leje për dy hidrocentrale, derisa për të tretin Lumëbardhin, ky mbetet i pa licencuar”, tha Hoxha.

Deputetja Hoxha: Akt i pandershëm nga ZRRE-ja licencimi i dy hidrocentraleve të KELKOS-it
Lexo po ashtu Deputetja Hoxha: Akt i pandershëm nga ZRRE-ja licencimi i dy hidrocentraleve të KELKOS-it

Ndërsa, anëtari i Komisionit nga radhët e LVV-së, Artan Abrashi tha se puna e këtij komisioni dhe Kuvendit është goditur nga ZRRE-ja.

“Është për keqardhje që ndodhemi në një situatë ku puna e këtij Komisioni është goditur përmes dhënies së lejes mjedisore të këtij operatori që ishte dhe arsyeja kryesore pse është bërë ky komision. Përveç të tjerash konsiderojë, jo vetëm që kemi marrë goditje, por është vënë në goditje edhe vet autoriteti i deputetëve dhe Kuvendit të Kosovës. Propozimi im për marrjen e vendimi apo rekomandimi për ndërprerjen e përkohshme të lejeve dhe licencave deri sa të përfundojë kishte të bënte pikërisht pengimin e një situatë të tillë”, tha ai.

E kritike ndaj punës së këtij komisioni u shfaq deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

“Ne mundemi t’ia bëjmë vetit qejfin, por kemi hyrë në muajin e tretë si me kohë të pushimit, por megjithatë edhe u tha se ne ende kemi kohë. Thjeshtë, jo gati tre muaj, por edhe një javë e vetme me qenë si komision hetimor edhe me ardhur kot, e me qëndruar kotë e flasim kot e bash asgjë nuk kemi bërë”, tha ajo.

Por asaj i reagoi deputeti tjetër i LVV-së, Shpejtim Buliqi, ku tha se po tenton me pengu punën e këtij Komisioni. Ai duke kërkuar përgjegjësi tha se Kuvendi duhet të shkarkojë bordin e ZRRE-së.

“Në qoftë se po mundohemi me bërë punën këtu, edhe po marrim informacione prej momenti në moment qysh me vepruar, dine që rezultat nuk ka. Po duket që dikujt po i intereson me pengu rezultatin e këtij komisioni. Unë nuk kam hidrocentral, njerëz të partive nuk kanë hidrocentral. A po doni të kërkoni përgjegjësi, hajde po kërkojmë nesër pasnesër në Kuvend me shkarku ZRRE-në, të marrim vendim këtu sot në këtë komision dhe po kërkojmë me shkarku ZRRE-në sepse i ka shkelur krejt normativat ligjore në fuqi sepse nuk ka mundur të përmirësohet gjendja të cilën e ka pa deputetja haxhiu para dy jave, nuk ka mundur të rregullohet kaq shpejt. E dyta hajde të kërkojmë se ajo ministri, që është përgjegjëse për këtë çështje të kërkojmë shkarkimin e ministrit, cilido qoftë ai”, tha ai.

Deputetja e LDK-së në këtë komision, Besa Gaxherri tha se ky vendim i ZRRE-së, nuk është i ndërlidhur me arritjen e marrëveshjes me Manastirin e Deçanit për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

“Krejtësisht është proces i shkëputur prej problemit të Kelkosit. Kryeministri Hoti bashkë me akterët ndërkombëtar dhe kryetari i komunës së Deçanit, kanë arritur marrëveshje dhe rruga do të ndërtohet. Ndërsa procesi i Kelkosit është i shkëputur”, tha ajo.

Krahas këtyre komisioni vendosi që në mbledhjen e radhës të ftohen edhe ekspertët e fushës, si dhe iu është bërë thirrje institucioneve relevante të dërgojnë gjithë dokumentacionin e kërkuar komisionit. /KP/