LAJMI I FUNDIT:

Liberalizimi i vizave, Begaj: E drejta e Kosovës u legjitimua në familjen evropiane

Liberalizimi i vizave, Begaj: E drejta e Kosovës u legjitimua në familjen evropiane

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i është gëzuar lajmit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në llogarinë e tij në Twitter, Begaj ka thënë se drejta e Kosovës u legjitimua në familjen evropiane ku përket.


“Urime Kosovë! Me nënshkrimin e sotëm, e drejta për liberalizim vizash për qytetarët e Republikës së Kosovës u legjitimua në familjen evropiane të cilës i përket”, ka shkruar Begaj, transmeton Telegrafi.

Ndryshe në Strasburg sot është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit që kanë pasaporta të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen. /Telegrafi/