LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja BESA: 8 Shtatori është përkujtim i shtetit asimetrik

Lëvizja BESA: 8 Shtatori është përkujtim i shtetit asimetrik

Lëvizja BESA, në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, sot në Ditën e pavarësisë së shtetit, rikujton se 8 Shtatori, më shumë se festë shtetërore, është përkujtim për shtetin asimetrik që është prodhuar ndër vite.

‘Më 8 Shtator 1991, pas referendumit të mbajtur për Maqedoninë e pavarur (të cilin shqiptarët e bojkotuan), Maqedonia e deklaroi pavarësinë e saj pa e marrë parasysh edhe vullnetin e shqiptarëve. Kjo në vazhdimësi ka shkaktuar pakënaqësi, që kulmuan me krizën e vitit 2001, madje – sipas nesh – edhe kriza aktuale politike në gjenezë është krizë ndëretnike, ngase partia maqedonase në pushtet, pasi që bëri etnizimin e plotë të shtetit, në fund e bëri edhe partizimin e tij, gjë që e prodhoi krizën.


Duke qenë në këtë datë të rëndësishme për shtetin, Lëvizja BESA edhe një herë konstaton se Maqedonia është i kurdisur si shtet asimetrik, ngase kemi një shoqëri multietnike, ndërsa shteti është plotësisht monoetnik. Kjo asimetri është shkaktare e krizave dhe problemeve të vazhdueshme në vend. Për këtë arsye ne gjithnjë kemi theksuar dhe vazhdojmë të pohojmë se shpëtimi i këtij shteti është nëse ai e njeh realitetin shoqëror dhe kjo reflektohet edhe në ndërtimin shtetit.

Dhe, nëse pas gjithës kësaj dikush konsideron se 8 Shtatori është ditë feste, ne ia urojmë këtë festë’, kumtojnë nga kjo Lëvizje. /Telegrafi/