LAJMI I FUNDIT:

Letra e fundit e Durhamit

Letra e fundit e Durhamit

Nga: Daut Dauti

Në fund të muajit maj të vitit 1944, Edith Durham ia shkroi një letër mikut të saj, Morantit, ku i thoshte se e kishte festuar ditëlindjen me një stil të lartë. Do të ishte kjo ditëlindja e fundit e anglezes që u doli në mbrojtje shqiptarëve. Pas pak kohësh Durhamit filloi t’i keqësohej shëndeti dhe ndoshta kjo është letra e saj e fundit që ka shkruar.

Durham mburrej me punën e saj, të cilën e theksonte kur kishte nevojë. Njësoj e theksonte edhe aktivitetin e saj në fushën humanitare, aktivitetin politik dhe studimet që kishte bërë në antropologji. Në letër, ajo i shkroi Morantit:

“Më duhet të them se shqiptarët nuk i kanë harruar shërbimet e mia të ndihmës humanitare. Kolonia e shqiptarëve në ShBA m’i ka dërguar 132 funte për ditëlindjen time, duke ma bërë me dije se unë i kam ushqyer ata, dhe tash ata duhet patjetër të më ushqejnë mua. Po ashtu, më kanë dërguar një duzinë të pakove me ushqime. Jam prekur thellësisht.”

Me 30 tetor 1944, disa miq të Durhamit, përfshirë Noel Baxtonin dhe Edward Boylein, e morën një iniciativë që ta themelonin një fond si shenjë mirëkuptimi apo falënderimi të punës së dalluar të Durhamit në fushën shkencore dhe në punën e saj në Ballkan. Ata planifikuan që këtë fond t’ia jepnin për ditëlindje dhe ajo ta përdorte sipas dëshirës. Por, Durham vdiq dy javë pas kësaj iniciative.

Disa javë pas vdekjes së Durhamit, L. G. Whickham-Legg, redaktori i “The Dictionary of National Biography”, i shkroi akademikut të famshëm Robert Seton-Watson, me të cilin Durham nuk kishte marrëdhënie të mira për shkak të Shqipërisë. Redaktori nuk dinte shumë për Durhamin dhe kërkoi këshilla nga Seton-Watsoni. Ai, po ashtu pyeti Seton-Watsonin nëse mund të shkruante një artikull prej 400 fjalëve për jetën e Durhamit, në mënyrë që të botohej në këtë revistë të rëndësishme ku shënoheshin njerëzit e arritur. Seton-Watson, i cili e mbronte Serbinë, nuk u përgjigj kurrë. Në “The Oxford Dictionary of National Biography”, Edith Durham hyri në vitin 1993. /Telegrafi/