LAJMI I FUNDIT:

Lëshohet për qarkullim Autostrada “Arbën Xhaferi” (Video)

Lëshohet për qarkullim Autostrada “Arbën Xhaferi” (Video)

Autostrada e cila e lidhë Prishtinën me Shkupin, është përuruar të mërkurën me një ceremoni të organizuar ku kanë marr pjesë udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se përurimi i Autostradës “Arbën Xhaferi” ka rëndësi të madhe për vendin. Ai ka thënë se kjo autostradë është projekti më madhor i shtetit të Kosovës.


“Sot po përurojmë një nga projektet më madhore të shtetit të Kosovës, urën më të gjatë në rajonin tonë. Është një investim i fuqishëm, por që ia ka vlejtur, sepse një Kosovë e lirë dhe e pavarur edhe duhet të zhvillohet. Prandaj, nëse dje kemi ëndërruar që të kemi një Kosovë të tillë, sot e kemi realitet. Nëse dje na është dukur e pamundur që të kryejmë projekte të tilla, sot i kemi realitete. Nëse dje këto përvoja i kemi kaluar në botën perëndimore, sot i kemi në Kosovën e re”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se sot po tregojmë se pas dy dekadash Republika e Kosovës është faktor e cila po ndërton ura që i lidhin vendet.

“Sot po tregojmë që Kosova është faktor stabiliteti që po ndërton ura që i lidh shtetet fqinje. Po lidhemi edhe ura të bashkëpunimit mes popujve”, tha ai.

Sipas tij, tash do të jetë orientimi kah zhvillimi ekonomik dhe sundimi i  rendit dhe ligjit.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Autostrada “Arbën Xhaferi” i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por edhe Rajonit.

“Kjo rrugë na afron me njëri tjetrin dhe na bashkon me Evropën. Kjo i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por dhe rajonit. Shpresoj që bashkë me mikun tim, Zoran Zaev që së bashku të takohemi në anën tjetër për të përuruar pjesën e Maqedonisë së Veriut. Është bërë kujdes që ky investim të bëhet në përputhje në aspektet ligjore, kemi pasur pak pengesa, por kemi realizuar qëllimin”,theksoi kryeministri Haradinaj.

E, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se 65.5 kilometrat e kësaj autostrade do të lidhin Prishtinën me komunat tjera, si dhe vendin tonë me Maqedoninë e Veriut.

“Në punimet e Autostradës kanë marr pjesë 990 punëtorë si dhe shumë kompani. Ndjehuni krenarë për ketë kryevepër që i kemi dhuruar Kosovës. Autostradën Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi do ta përmbyllim me Autostradën e Dukagjinit e cila do të jetë më e gjata” , theksoi Lekaj.

Në ceremoninë e lëshimit në qarkullim të autostradës për Shkup kanë marr pjesë kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, kryeministri i Malit te Zi Dushko Markoviq, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, ministrja e Infrastrukturës e Shqipërisë, Belinda Balluku, Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett si dhe të ftuar të tjerë.

Ndryshe, nderimi i Autostradës “Arbën Xhaferi” i ka kushtuar buxhetit të vendit 706 milionë euro. Kjo autostradë ka urën më të gjatë në rajon me gjatësi 5.7 kilometra pa ndërprerje, kurse lartësia maksimale është 83 metra. /Telegrafi/