Legjenda e Arsenalit i lutet Artetës të ndryshojë kapitenin: Bëje nëse do të bëhesh fitues i Ligës Premier

Ish-kapiteni legjendar i Arsenalit, Tony Adams, ka bërë thirrje publike që Mikel Arteta t’ia heqë shiritin e kapitenit Martin Odegaard dhe t’ia japë atë mesfushorit anglez Declan Rice, nëse “Topçinjtë” duan të fitojnë titullin e Ligës Premier.
Odegaard u emërua kapiten i Arsenalit përpara sezonit 2022/23, duke qenë lojtari i parë që e mori këtë rol në mënyrë të përhershme pas largimit të Pierre-Emerick Aubameyang.
Gjatë periudhës së tij si kapiten, Arsenali ka qenë vazhdimisht në garë për titull, por Adams mendon se është koha për një ndryshim strategjik.
“Arteta ka një vendim të rëndësishëm për të marrë. Ai duhet ta bëjë Declan Rice kapiten. Ky do të ishte kapiteni sipas dëshirës sime dhe ndoshta kjo do ta lironte Odegaardin të luante me më shumë liri”, u shpreh Adams.
Sipas tij, një kapiten duhet të përfaqësojë energjinë dhe ambicien e trajnerit, duke udhëhequr me shembull për të çuar ekipin në nivelin tjetër.
“Nëse do të fitosh titullin, duhet të jesh si Klopp ose Ferguson – një lider fitues. Dhe kjo duhet të shihet te kapiteni yt. Unë shoh Rice si atë lider. Arteta, bëje këtë hap. Me Odegaard si kapiten nuk do ta fitosh ligën”, shtoi ai.
Adams argumenton se Rice është lojtari që do të luajë çdo ndeshje, do të tërheqë lojtarë të tjerë cilësorë dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një ekipi kampion.
Për momentin, Arteta po e mban Odegaard në këtë rol, por tekniku spanjoll ka treguar se nuk heziton të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër.
Këtë verë, Arsenali ka shpenzuar gati 200 milionë euro për përforcime, duke sjellë emra si Martin Zubimendi, Viktor Gyökeres dhe Noni Madueke.
“Topçinjtë” e nisin sezonin e ri të Ligës Premier këtë të diel në një sfidë të madhe në “Old Trafford” kundër Manchester United. /Telegrafi/


















































