LAJMI I FUNDIT:

LDK për programin ekonomik të Qeverisë Kurti: Shumë fjalë, asnjë masë dhe asnjë shifër

LDK për programin ekonomik të Qeverisë Kurti: Shumë fjalë, asnjë masë dhe asnjë shifër

Lidhja Demokratike e Kosovës po e konsideron boshe programin ekonomik të Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Përmes një konference për medie, anëtari i kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa tha se ky program ka shumë fjalë, asnjë masë dhe asnjë shifër.


“Në aspektin ekonomik, ky program është i zbrazët me deklarime boshe, pa caktim të masave dhe objektivave konkrete dhe i pabuxhetuar. E konsiderojmë absurde që Programi Qeverisës, premton zhvillim ekonomik pa thënë asnjë fjalë se sa do të jetë rritja ekonomike, sa do të jetë buxheti pas katër viteve, sa kosovarë do të janë papunë, sa do të jetë deficiti tregtar, sa do të janë investimet e huaja, sa do të rritet prodhimi vendor dhe si do të rritet eksporti”, tha Mustafa, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se nuk ka program për rimëkëmbje.

“Për t’u bërë hapja dhe rimëkëmbja e shpejtë e sektorit privat edhe vaksinimi duhet të ndodh shpejtë, mirëpo në këtë program, për kundër premtimeve për ndryshime të mëdha, nuk ka program për rimëkëmbje, nuk ka masa dhe nuk ka buxhet. Shumë fjalë, asnjë masë dhe asnjë shifër. Zhvillimi ekonomik në kuadër të Programit 2021-2025, parasheh shumë ligje, udhëzime, studime, strategji, plane dhe shqyrtime pa përmendur masa konkrete se si do të rimëkëmbet ekonomia kosovare pas dëmeve nga pandemia COVID-19”, thotë ai.

Krijimi i Fondit Sovran, mos ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit dhe shuarja e AKP-së – çfarë parasheh Programi i Qeverisë 2021-2025
Lexo po ashtu Krijimi i Fondit Sovran, mos ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit dhe shuarja e AKP-së – çfarë parasheh Programi i Qeverisë 2021-2025

Për sa i përket Fondit Sovran, Mustafa shprehet se do të menaxhohet nga një ekip i ngushtë besnik i pushtetit.

“Edhe më keq, nuk ka asnjë fjalë për buxhetin që do të planifikon Qeveria drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik. Nuk parashihet asnjë projekt i ri kapital për katër vitet e ardhshme, vetëm vazhdim i projekteve ekzistuese. Fondi Sovran do të mbledh të gjitha pasuritë strategjike shtetërore me një vend, për t’u menaxhuar nga një ekip i ngushtë besnik i pushtetit. Nuk dihet se si do të menaxhohen këto asete shtetërore, si do t’iu rritet vlera dhe si do të përfitojnë qytetarët nga ky Fond”, përfundon Mustafa.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar Programin Qeverisë për vitet 2021-2025, ku prioritet është menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik, programi parasheh krijimin e Fondit Sovran, shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mos ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, ridizajnimi i politikave fiskale, qëndrueshmëria e financave publike dhe formalizimi i ekonomisë. /Telegrafi/