LAJMI I FUNDIT:

LDK: Katërmbëdhjetë ditë nga skandali i punësimeve në KEK, konkursi ende nuk është anuluar

LDK: Katërmbëdhjetë ditë nga skandali i punësimeve në KEK, konkursi ende nuk është anuluar

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kujtuar se janë bërë dy javë që nga publikimi i listës së të punësuarve në Korporatën Energjetike (KEK), gjë që e quajti skandal të punësimeve.

Sipas LDK-së, 14 ditë nga skandali i punësimeve në KEK konkursi ende nuk është anuluar.


“14 ditë nga skandali i punësimeve në KEK. Konkursi ende nuk është anuluar; të 4,500 aplikuesit ende s’kanë gjetur drejtësinë; e pushteti s’ka marrë asnjë masë shkarkimi e suspendimi ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë krim”, theksohet në komunikatën e LDK-së.

Pretendimet e opozitës janë që zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë punësuar militantë partiakë dhe familjarë të tyre në konkursin e fundit nga KEK-u, duke paralajmëruar kështu edhe kallëzime penale në gjykatë.

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka thënë se është duke mbledhur informatat lidhur me punësimet e fundit në KEK.

AKK bën me dije se ka pranuar telefonata dhe interesime të individëve të ndryshëm në lidhje me rolin që mund të ketë ky institucion në trajtimin e këtyre pretendimeve. /Telegrafi/