LAJMI I FUNDIT:

LDK: Katër ministri me asnjë investim kapital për 6 mujorin e parë të vitit 2022

LDK: Katër ministri me asnjë investim kapital për 6 mujorin e parë të vitit 2022
Foto: Arkivi

Katër ministri në Qeverinë Kurti, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 nuk kanë shënuar asnjë investim kapital. Kështu është bërë e ditur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media.

Bëhet fjalë për Ministrinë e Ekonomisë, atë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.


LDK thotë se sipas Raportit Financiar të Thesarit, investimet kapitale në periudhën gjashtëmujore kanë qenë vetëm 9 për qind apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit.

“Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë si dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”, u tha nga LDK-ja.

Në vijim LDK-ja ka prezantuar të dhënat konkrete për mosrealizimin e investimeve kapitale nga Qeveria:

– Ministria e Ekonomisë, me buxhet vjetor për investime kapitale prej 16,154,144 euro i ka shpenzuar 0 për qind. Ekonomia nuk e duron populizmin, sepse gjithçka që shumëzohet me zero – zero mbetet.

– Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 4,470,000 euro, realizmin e ka zero. Pra, Qeveria zgjedh të investojë zero për Industrinë, zero për Ndërmarrësinë dhe zero për Tregtinë.

– Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal kanë realizuar 0% buxhet për investime kapitale. Kështu që, 38 komuna kanë zero realizim në investime kapitale.

– Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nga 103,291,413 euro ka arritur te realizojë vetëm 1 për qind ose 587,211 euro. Për 47 projekte të rëndësishme realizimi është zero.

– Është kontradiktore dhe e çuditshme se si kryeministri një javë më parë përmendte luftën, ndërsa investon vetëm 5 për qind të buxhetit për investime kapitale në Ushtrinë e Kosovës. Do të thotë nga 53,936,000 euro për investime kapitale, Ministria e Mbrojtjes ka ekzekutuar vetëm 2.820.457 euro, duke e lënë kështu Ushtrinë e Kosovës pa armatim, pa pajisje dhe pa sisteme të mbrojtjes.

– Fatin e ngjashëm e ka edhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç’rast realizon vetëm 12 për qind nga buxheti prej 44,139,003 euro për vitin 2022. Në këtë mënyrë, qeveria duke mos i përdorur mjetet financiare që i ka në dispozicion nuk po i përmirëson kushtet e punës për policët e Kosovës.

– Në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 15 projekte kapitale, kanë nisur vetëm 2 prej tyre, dhe atë në vlera minimale. Në këtë ministri, gjatë këtyre 6 muajve, janë shpenzuar vetëm 5 për qind nga buxheti, më saktësisht, nga 10,063,000 euro janë shpenzuar vetëm 530,702 euro. Me këtë rast, paaftësia qeverisëse po e dëmton rënd shëndetin e qytetarëve.

– MASHT ka realizuar vetëm 10 për qind të buxhetit total për investime kapitale, pra vetëm 2,673,482 euro nga 27,597,054  euro sa ishin paraparë gjithsej. Ndër të tjera nuk ka realizuar asnjë investim në ndërtimin e çerdheve të planifikuara, gjersa 5 milion euro qëndrojnë të pashfrytëzuara në 6 mujorin e parë të vitit të dedikuara për çerdhet.

– Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga buxheti për investime kapitale, në vlerën prej 209 milion euro i ka shpenzuar vetëm 21,611,218 euro, ose vetëm 15 për qind.

– Ndërsa nga 20,710,000 euro për investime kapitale për Rini, Kulturë e Sport, Ministria, ka realizuar vetëm 7 për qind.

– Ministria e Bujqësisë nga buxheti për investime kapitale, prej 6,140,769 euro ka realizuar vetëm 9 për qind, pra edhe të mirat e tokës sonë janë të dënuara me 0 investime kapitale.

– Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, ka shpenzuar vetëm 2 për qind nga 10,995,000 euro të buxhetit për investime kapitale. Kjo ngecje në implementim është kosto që dëmton përfaqësimin tonë si shtet jashtë. /Telegrafi/