Laporta e motivon Yamalin: Ai do të fitojë shumë Topa të Artë

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur pas shpalljes së rezultateve të Topit të Artë 2025, ku Lamine Yamal përfundoi i dyti në garën për futbollistin më të mirë të sezonit.
Çmimi i madh shkoi për sulmuesin e PSG-së, Ousmane Dembele.
Pavarësisht humbjes, Yamal mori çmimin Raymond Kopa për lojtarin më të mirë të ri të sezonit për të dytin vit radhazi.
“Askush tjetër nuk ka dy çmime Kopa. Jam i sigurt se tani Lamine do të luftojë për Topin e Artë", u shpreh Laporta.
Ai tregoi emocionet nga ceremonia: “Ishte shumë emocionuese, sepse disa njerëz në sallë bërtisnin: ‘Ousmane, Ousmane!’ dhe disa nga tanët nga Barça bërtisnin: ‘Lamine, Lamine!’ Jam i sigurt se një rezultat i tillë do ta motivojë Laminen edhe më shumë".

Laporta shtoi: “Ne kishim shpresë. Ne i kishim të nominuar Raphinha, Lamine dhe Pedri. Lamine dhe Dembele u bënë finalistë. Mendoj se fitimi i Ligës së Kampionëve luajti rolin e vet".
“Por askush tjetër nuk ka dy çmime Raymond Kopa, ky është një tjetër njohje. Jam i sigurt se Lamine do ta fitojë Topin e Artë. Koha do ta tregojë, por si person ai ka cilësi të mrekullueshme,” tha presidenti i Barcelonës.
Në fund, Laporta nënvizoi se ky vend i dytë do të shërbejë si shtysë për talentin 18-vjeçar: “Ky vend i dytë do t’i japë Lamines motivim për vitet në vijim. Jam i bindur se ai do të fitojë", përfundoi Laporta. /Telegrafi/



































