LAJMI I FUNDIT:

Lajçak në Kosovë – analistët flasin për pritjet nga vizita dhe kritikat e Gërvallës ndaj emisarit

Lajçak në Kosovë – analistët flasin për pritjet nga vizita dhe kritikat e Gërvallës ndaj emisarit

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të martë do të qëndrojë në Kosovë, një ditë pas vizitës që bëri në Serbi.

Ai do të takohet me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa ndër temat kryesore pritet të jetë Rregullorja e miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila ndalon qarkullimin e dinarit serb në Kosovë.


Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin deklaroi se çështjen e dinarit nuk e sheh të rëndësishme që të hyjë si pjesë e dialogut, pasi “mund të zgjidhet në një fazë më të mëvonshme”.

Sa i përket takimeve që do të zhvillojë Lajçaku, Arifi tha se pret që të ketë darkodim për intensifikimin e veprimeve drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Dritëro Arifi

“Nga kjo vizitë e Lajçakut sot në Prishtinë pres që të ketë një dakordim që Qeveria e Kosovës të ketë një dinamikë, pra një volum më të madh rreth zbatimit të Marrëveshjes franko-gjermane apo respektivisht Marrëveshjes së Ohrit, sepse të gjitha gjërat veç janë dialoguar. Palët janë zotuar dhe tash Bashkimi Evropian së bashku me SHBA-në presin zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh ai.

“Si pikë e dytë do të jenë zgjedhjet në veri se si po shkojnë dhe kur është përafërsisht koha më e përshtatshme që të mbahen ato zgjedhje. Siç po shihet BE-ja po kërkon pak ndoshta një përshpejtim, zgjedhje që të mbahen, që të relaksohen pak raportet me komunitetin serb në veri dhe si po supozoj që temë e tretë e diskutimit do të jetë ndalimi i qarkullimit të dinarit serb në Kosovë, që është bërë çështje e cila nuk ka qenë më herët”.

Intensifikimi i bisedimeve për dialogun, Lajçak sot në Kosovë
Lexo po ashtu Intensifikimi i bisedimeve për dialogun, Lajçak sot në Kosovë

Ai komentoi edhe deklaratat dhe akuzat e kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla, se procesi i dialogut ka dështuar pikërisht për shkak të emisarit Lajçak.

Lidhur me këtë, Arifi tha se deklaratat e Gërvallës janë joserioze dhe të pakuptimta.

“Është e qartë që Ministrja e Jashtme ka bërë një gafë, një naivitet të jashtëzakonshëm, sepse një Ministre e Jashtme ka një rëndësi dhe një peshë të madhe në hierarkinë protokollare të çdo shteti. Pra, një deklaratë e tillë është jashtëzakonisht joserioze dhe është e pakuptimtë, sepse pikërisht Kryeministri i Kosovës e ka pranu marrëveshjen e BE-së dhe nuk ka pasur dështim të dialogut”.

“Marrëveshja është pranu dhe është zotu që do ta zbatojë Qeveria e Kosovës. Pra, ky nuk është dështim. Ky është sukses i Qeverisë së Kosovës. Vetë neni i parë i marrëveshjes franko-gjermane, pra zbatimi i saj për targa, është sukses edhe i Qeverisë Kurti. Është e pakuptimtë të thuhet se ka dështuar zoti Lajçak. Atë e përkrahin 27 shtete e mbi to edhe SHBA-ja”, deklaroi Arifi.

Deklaratat e Gërvallës i cilësoi të pamatura edhe analisti tjetër, Arton Demhasaj, i cili tha se nuk mundet askush nga Kosova të përcaktojnë se kush duhet me qenë ndërmjetësues i Bashkimit Evropian e kush jo.

Arton Demhasaj

“Atë e përcakton Bashkimi Evropian, ata e kanë përcaktu që ka me qenë zoti Lajçak, kështu që nuk mundemi ne me interferu në atë çështje. Derisa Bashkimi Evropian e ka përcaktu që zoti Lajçak ka me qendër ndërmjetësues në procesin e dialogut, ne duhet ta pranojmë si të tillë dhe si të tillë e kemi pranu për një kohë të gjatë dhe nuk na u ka duk i njëanshëm, tek kah fundi atëherë kryeministri së bashku me ministren e Punëve të Jashtme kanë fillu me lëshu deklarata se qysh zoti Lajçak po tregohet i anshëm në dialog”.

“Po mendoj që kjo nuk është shumë e rëndësishme. Më e rëndësishme është temat që po diskutohen dhe normalisht që Kosova akoma po mbetet e sanksionuar nga ana e BE-së”, theksoi Demhasaj.

Por sipas tij, deklarata të tilla nuk mund të ndikojnë në procesin e dialogut, sepse janë deklarata politike, që me shumë gjasa bëhen për konsum të brendshëm politik në Kosovë.

Sa i përket dinarit serb, ai tha se me shumë gjasë Qeveria e Kosovës ka ndikuar te BQK-ja për të nxjerr një vendim të tillë, në mënyrë që vëmendja të zhvendoset nga Asociacioni te kjo çështje.

“Temë kryesore e diskutimit në takimet e sotme pritet të jetë Rregullorja e re e BQK-së, për shkak se kjo mund të konsiderohet nga ana e BE-së që po e pengon procesin e dialogut. Mendoj se Qeveria ka ndikuar tek BQK-ja që të nxjerrët ajo Rregullore për dinarin, që në njëfarë mënyre përmes dinarit edhe një kohë të shtyhet çështja e Asociacionit”, deklaroi Demhasaj.

“Domethënë vendimi i BQK-së nuk është ekonomik, por është vendim politik. Po të ishte ekonomik, BQK-ja do të kishte dhënë pak më shumë kohë për implementimin e kësaj rregullore. Bizneset që operojnë në veri ose edhe një pjesë tjetër të Kosovës që kanë operuar me dinarë kanë nevojë për më shumë kohë që të kalojnë në euro”.

Sipas tij, fakti që BQK-ja ka dhënë një afat të shkurtër për implementimin e rregullores e që është 1 shkurti “tregon që ky vendim është politik dhe me gjasë strategjik që të shtyhet edhe për një kohë presioni për Asociacionin”.

“Kjo me shumë gjasë për shkak se Qeveria gradualisht me këto veprime po përgatitet që vendin me dërgu në zgjedhje të parakohshme. Ky është qëllimi strategjik që qeveria jonë e ka përdorë vazhdimisht”, tha analisti.

Ndryshe, emisari Lajçak të hënën ka qëndruar në Serbi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Serbia është ankuar edhe për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, që “euroja të jetë e vetmja valutë”.

“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Lajçaku një ditë më parë për takimin me Vuçiqin. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjashtë të lënduar nga aksidenti në Prishtinë, fotografi nga vendi i ngjarjes

Gjashtë të lënduar nga aksidenti në Prishtinë, fotografi nga vendi i ngjarjes

Kronika e Zezë
Aksident te konviktet në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

Aksident te konviktet në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

Kronika e Zezë
Mosmarrëveshje për “përdorimin” e veturës, burri në Kishnicë deklaron në Polici se nuk dëshiron të jetojë më me gruan

Mosmarrëveshje për “përdorimin” e veturës, burri në Kishnicë deklaron në Polici se nuk dëshiron të jetojë më me gruan

Kronika e Zezë
Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

Lajme
Gjashtë të lënduarit nga aksidenti në Prishtinë po trajtohen në QKUK

Gjashtë të lënduarit nga aksidenti në Prishtinë po trajtohen në QKUK

Lajme
Shtatë xhaketa të ushtrisë, fishekë e radio lidhje – Policia njofton se çfarë u gjet në shtëpinë e të dyshuarit që sulmoi Policinë dhe KFOR-in

Shtatë xhaketa të ushtrisë, fishekë e radio lidhje – Policia njofton se çfarë u gjet në shtëpinë e të dyshuarit që sulmoi Policinë dhe KFOR-in

Siguri
Kalo në kategori