LAJMI I FUNDIT:

“La dolce vita” – një kontrapunkt aktual edhe i shoqërisë sonë

“La dolce vita” – një kontrapunkt aktual edhe i shoqërisë sonë
Anita Ekberg (skenë nga filmi “La Dolce Vita”)

Nga: Josif Papagjoni

Ndonëse e kam parë disa herë filmin antologjik La Dolce Vita të Frederico Fellinit, tek po e shihja mbrëmë vonë, nuk e di pse një drithërimë, një tronditje, një si shembje brenda meje më trandi me tërësej. Çfarë fuqie parashikuese ka arti, qe i pari mendim që më erdhi dhe ma fshikulloi trurin.


I xhiruar në vitin 1960, pra 64 vjet më parë, me Marcello Mastroiannin si aktori kryesor, ai nuk sjell thjesht Romën e atyre viteve, as një Romë të kredhur në vjetërsi, arkeologji, kode, mistikë, vdekje, por krejt shoqërinë njerëzore, kastën e saj limontime; sjell një Quo Vadis të tmerrshëm, të pamëshirshëm.

Ku po shkon, o njeri?

Shoqëri, qytetërim, ku po shkon?

Përveçse një kaosi të organizuar si teatër e të qëllimtë, të një shoqërie të veleritur, pa ideal, pa drejtim, pa një kapistër morale, më tmerroi ideja gjeniale e Felinit, ajo e kotësisë, e bjerrjes, e absurdit, e gjithçkaje që përdhoset, shembet, kalbet, që bie erë kërmash morale e sociale; e një shoqërie të kthyer në spektakël, që kënaqet me perversitetin e vet, mes qindra sy paparacësh që të ngjiten si morrat, siç janë sot Facebook-u, Instagram-i, TikTok-u, ku gjithë idiotësitë shiten për mençuri, dituri.

Nuk paska më dashuri. Edhe atje ku ajo deklarohet, si e tillë, ose është dhunë ndaj dytësit, ose egoizëm i skajtë, grabitje e hapësirës së tjetrit në një marrëdhënie, ose është një harmoni dhe lumturi e rrejshme që përfundon në vetëvrasje e tragjedi; ose pastaj është një zdërhallje lodhëse mes pijesh, orgjish, performimesh kinse teatrore dhe rituali dëfrimesh të çmendura, një zhveshje tërësore nga fisnikja, e thjeshta, e natyrshmja, e hishmja, e pastra.

Dhe, pikërisht filmi mbyllet me një mëngjes të thjeshtë, të njëmendtë të natyrës, në një buzë det, ku një monstër nxirret nga deti (monstra njerëzore, afërmendsh) dhe komunikimi mes dy vetëve ndërpritet. Moskuptimi është aty, si për të pohuar dy botë, atë të vërtetën, të thjeshtën, natyralen dhe atë të korruptuarën, të rrejshmen, të mbivendosurën, të tjetërsuarën, e kthyer në një rit lodhës e banal argëtimesh, dështimesh. Vaniteti dhe absurdi shprishin gjithçka. Dhe, një pezëm i thellë ta bën shpirtin plagë, dhe dëshpërimi sikur të rri pezull gjithandej. Njerëzit të duken si vemje. Neveri, përçmim. Së paku, kështu mu dukën mua. Një botë kukullash, një botë teatri. Botë që duket në dritë, po që s’ka më dritë.

Dhe, gjithçka e përktheja në botën dhe shoqërinë tonë, ku antivlerat ulërijnë dhe shtiren si vetë dituria, ku elitat janë snobe, të idiotizuara, maniakale, ku dashuria, martesa, gjërat e shenjta janë katandisur në skeçe estradash dhe skupe të shitshme kinse artistësh të tallavasë e Big Brother-ave për kureshtarët e sëmurë të ekraneve.

Mediokriteti të mbyt.

Dhe, teksa e mendoja këtë fuqi të jashtëzakonshme parashikuese të gjenisë së një Felini në filmin e para 64 viteve, se ku po shkonte shoqëria e asokohshme, sot në lëngatat që e kanë zënë atë sheh se si thuajse gjithçka është katandisur në një hiç të madh, në një idiotësi dhe budallallëk marramendës me teprimet e veta, me boshësinë dhe neverinë, me kalbjen dhe sëmundjen që e ka ngulfatur shoqërinë kryekreje. Nuk është fjala për shoqërinë shqiptare, por për mbarë njerëzimin dhe modelin e qytetërimit.

Arti, pra, është një pandehmë e madhe, një sy që tejkalon vitet, kohët, hapësirat. Dhe, thirrja dëshpëruese e këtij filmi për t’i ikur budallallëkut, kotësisë dhe teprimeve ndaj lirisë, për t’iu kthyer jetës dhe të vërtetës, të paqmes dhe të pastërtës, mbetet e do mbetet një apel shërues. I duhet shmangur katastrofës që na kërcënon me kalbjen e bulbit tonë.

Në trend Kultura

Më shumë
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
“Shiu pushonte dhe dilte dielli, kur në tribunë shfaqej udhëheqësi ynë Enver Hoxha”

“Shiu pushonte dhe dilte dielli, kur në tribunë shfaqej udhëheqësi ynë Enver Hoxha”

Kulture
NË MUNÇ

NË MUNÇ

Poezi
NËSE

NËSE

Poezi
Dokument i rrallë për pushtimin e Krujës dhe rënien e Shkodrës

Dokument i rrallë për pushtimin e Krujës dhe rënien e Shkodrës

Kulture
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjala+
Kalo në kategori