LAJMI I FUNDIT:

Kuzhina kreative e Vlora Ramadanit, bind fëmijët të hanë

Kuzhina kreative e Vlora Ramadanit, bind fëmijët të hanë

Të gatuash një pjatë të shijshme nuk do të thotë vetëm të kesh njohuri në gatim, por edhe të kesh përkushtim. E përkushtim kërkon edhe rritja e një fëmije, sidomos atyre që bëjnë naze në të ngrënë.

Të rrisësh fëmijë të shëndetshëm është sfidë goxha e madhe dhe mund të duket e paarritshme për shumë prindër. Megjithatë, nuk është e pamundur. E këtë më së miri na e dëshmon personazhi ynë i sotëm.


Vlora Ramadani nga Prishtina është nënë e një vajze dy vjeçe. Si shumë prindër, ajo gatuan ushqim për fëmijën e saj, por për këtë nënë, kjo nuk mjafton. Pjatat që i përgatitë për vajzën e saj, ajo i shndërron në art, duke u dhënë një kuptim të ri personazheve të animuara.

“Prindërimi i ka edhe vështirësitë e veta dhe sfidat e veta. Për mua si nënë sfidë ka qenë ushqyerja e vajzës. Fillimisht Renea ka pranua çdo ushqim që unë ja kam servu, mirëpo duke u rritur ajo filloi të bëjë naze në ushqime dhe kjo më detyroi të bëjë pjatat kreative në mënyrë që ta bindi për të ngrënë…Jam mundur që Renea t’i merr të gjithë elementet e nevojshëm që i nevojiten për t’u rritur. Nuk jam bazuar te sasia e ushqimit por te cilësia”, tregon për RTV Dukagjinin, Vlora Ramadani.

Për Vlorën mjafton që ta shohë interesimin e vajzës së saj për ndonjë personazh të animuar, që ta kthejë atë pastaj në ushqim për të. E koha që i duhet për të përfunduar një pjatë varet nga forma të cilën e krijon.

“Motivimi më i madh është vajza ime Renea, ndërsa pjesa tjetër varet nga karakteret që asaj i pëlqejnë. Shembull, ndonjë lodër që asaj i kemi blerë e që asaj i ka pëlqyer shumë, mundohemi t’ia bëjë edhe me ushqime”.

Vlora së fundmi ka hapur edhe blogun Reneas Plate, të cilin njëherit e konsideron si një urë komunikimi me të gjithë prindërit që kanë vështirësi në ushqyerjen e fëmijëve të tyre.

“Blogu im iu referohet kryesisht pjatave kreative me ushqime të shëndetshme, mirëpo ka edhe aktivitete që ndihmojnë në zhvillimin kognitiv dhe motorik të fëmijëve. Blogu im ka karakter inspirues dhe motivues për nënat që hasin ën vështirësi në ushqyerjen e fëmijëve të tyre”, tha Vlora Ramadani.

E për fund, Vlora pati një mesazh për të gjithë prindërit.

“E di që çdo familje po gëzon kohë të kufizuar dhe po iu imponohet të ushqehen me ushqime që kanë konservansa, por që të njëjtat paraqesin rrezik për sëmundjet e zemrës, obeziteti, diabeti etj. Pra duhet të ushqehemi shëndetshëm në mënyrë që të gëzojmë shëndet edhe në  të ardhmen”, deklaroi Vlora Ramadani./Telegrafi/