LAJMI I FUNDIT:

Kuvendit dhe Qeverisë i dërgohen emrat e dy kandidatëve të përzgjedhur për Guvernator të Bankës Qendrore

Kuvendit dhe Qeverisë i dërgohen emrat e dy kandidatëve të përzgjedhur për Guvernator të Bankës Qendrore

Paneli zgjedhor për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore ka dërguar në Qeveri dhe në Kuvend të Kosovës dy emrat e kandidatëve me më shumë pikë, të përzgjedhur për këtë pozitë.

Në njoftimin e BQK-së thuhet se, mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit/es të Bankës Qendrore ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve të përzgjedhur si në vijim: Ahmet Ismaili – (84.67 pikë, nga 100 maksimale), Lulzim Ismajli – (73.67 pikë, nga 100 maksimale).


Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte përsëritur konkursin për guvernator të ri pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës.

BQK-ja aktualisht udhëhiqet nga U.D. i Guvernatorit, Bashkim Nurboja, i cili e ka marrë këtë detyrë pasi që Fehmi Mehmetit i ka skaduar mandati i Guvernatorit më 29 mars të këtij viti.  /Telegrafi/