LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Shqipërisë miraton amnisti me votat e socialistëve dhe opozitarëve

Kuvendi i Shqipërisë miraton amnisti me votat e socialistëve dhe opozitarëve

Në Tiranë, Kuvendi miratoi sot një amnisti penale me 110 vota të bashkuara nga shumica socialiste dhe nga deputetët e opozitës, falë një mirëkuptimi të një mirëkuptimi të mëparshëm mes tyre.

Ligji që kërkonte votat e tri të pestave të gjithë anëtarëve të Kuvendit, kaloi me vetëm një votë kundër dhe një abstenim, ndërsa u pranuan amendamente të deputetit Gazmend Bardhi, që afruan datën e përfituesve të amnistisë nga nëntori 2023 në mars 2024, si dhe kohën e përjashtimit nga vuajtja e dënimit.


Kjo amnisti, sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, pritet të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve, nga përfitojnë rreth 1 mijë e 100 të dënuar me burgim, 700 nga të cilët lirohen menjëherë, 400 të tjerë përfitojnë ulje.

Edhe rreth 2 mijë e 700 të dënuar me shërbim prove përfitojnë po ashtu. Në burgje, sipas tij, jetojnë aktualisht 5 mijë 818 persona, nga të cilët më shumë se gjysma (3 mijë 158 janë të paraburgosur, ndërsa 2 mijë 204 janë të dënuar.

389 persona mbahen në këto mjedise për llgari të SPAK-ut, tha ministri Manja, nga të cilët 243 të paraburgosur dhe 145 të dënuar.

“Shqipëria jo vetëm në rajon, por në Europë ka numrin më të madh të personave të dënuar me burgim të përjetshëm. Sipas standarteve europiane, raporti i të dënuarve me të paraburgosurit nuk duhet të jetë mbi 30 për qind, ndërsa Shqipëria e ka aktualisht mbi 58 për qind raportin mes të paraburgosurve dhe të dënuarve. Për 2 mijë e 204 të dënuar, sipas mesatares europiane, Shqipëria duhet të kishte 661 të paraburgosur, kur në fakt kemi afro 3.7 herë më shumë”, tha ministri Manja.

Ai përmendi edhe kostot 36.5 euro në ditë për secilin person që mbahet në këto institucione, ose mbi 24 milionë euro në vit.

Amnistia përjashton nga vuajtja e dënimit burrat e dënuar deri në 4 vjet dhe ata që u kanë mbetur 4 vjet nga shlyerja e dënimit, si dhe gratë e dënuara deri në 5 vjet dhe ato që u kanë mbetur 5 vjet nga mbarimi i dënimit.

Amnistia përjashton nga dënimi burrat mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç, si dhe ata të dënuar që në kohën e krimit ishin nën 18 vjeç.

Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit për krimet e rënda si vrasje, përdhunime, krime kundër familjes, pronës, moralit, mjedisit, zgjedhjeve, shtetit dhe drejtësisë, për falsifikim dokumentesh dhe banda të armatosura e organizata kriminale.

Prej kritereve të amnistisë, u zbritet nga dënimi i mbetur 1 vit burrave dhe 1 vit e gjysmë grave dhe të miturve.

Amnistia përjashton nga ndjekja penale të gjithë çështjet penale në hetim, ato të pashqyrtuara ose në shqyrtim nga gjykatat, si dhe kallzimet për vepra penale me një dënim të parashikuar deri në 2 vjet.

Nga ky lehtësim përjashtohen çështjet që lidhen me krime në familje, kundër personave, private, kundër shtetit dhe drejtësisë, si dhe ato që gjykohen nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, ata që i janë shmangur drejtësisë, as ata që janë dënuar nga GJKKO, as nga lehtësia e ndjekjes penale, nuk bëhet fjalë. Ky ligj amnistie shtrihet në vetëm 5 për qind të veprave penale që parashikon Kodi Penal”, tha ministri Manja.

Nisma e socialistëve të shumicës për amnisti u përfshi nga dyshimet e opozitës se po synohej ulje dënimi ndaj personave, që gjykon dhe dënon nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Deputeti opozitar Gazmend Bardhi solli disa ndryshime në projektin e paraqitur nga qeveria, me të cilat zgjerohet koha dhe afrohet data e përfitimeve nga amnistia, si dhe përjashtohen nga çdo përfitim prej amnistisë zyrtarët e lartë të hetuar apo të dënuar nga Strukturat e Posaçme Antikorrupsion.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar se ishte parimisht dakord për amnistinë, por duhej bërë një akt konsensual, duke trajtuar me kujdes shqetësimin se prej sajnuk duhej të përfitonin zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion. Mesazhi është se asnjë zyrtar i lartë i hetuar dhe dënuar ngas SPAK dhe GJKKO për korrupsion nuk do të përfitojë nga amnistia e Kuvendit të Shqipërisë”, tha zoti Bardhi.

Ai tha se pandëshkueshmëria duhet të marrë fund dhe ajo që i ka munguar Shqipërisë është dënimi i korrupsiont në radhët e zyrtarëve të lartë, dhe se kjo është mbështetje konkrete për SPAK-un dhe GJKKO-në.

Amenndamentet e sjella prej tij të shkrira në projektin e socialistëve u miratuan me shumicë të cilësuar.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se nga projekti i amnistisë përfitojnë një seri dënimesh për korrupsion, ndaj nuk duhen votuar.

Nga ana tjetër, ai kërkoi që përfitues të jenë edhe protestuesit e opozitës të dënuar për shkak të angazhimit të tyre në këto protesta, dhe që parashikohet të dënohen dëri në 2 vjet, por nuk amnistohet me këtë projekt.

“Një Pazar i ndyrë po propozohet. Njëra palë ka hallin t’i njihet etiketa false, ndërsa pala tjetër ka hallin e numrit gjithnjë në rritje të zyrtarëve të korruptuar që po bien në burg, apo po hetohen dhe dënohen nga GJKKO. Mesazhi që i çohet SPAK-ut është: Ju i dënoni, ne i lirojmë, sepse kështu shpëtojmë edhe peshqit e mëdhenj nga dënimet për korrupsion”, tha zoti Basha.

Me votat e bashkuara të socialistëve dhe një pjesë të opozitarëve u rrëzua amendamenti i sjellë nga deputeti Enkelejd Alibeaj në emër të Partisë Demokratike për të amnistuar protesuesit opozitarë,

Ai tha se qeveria i ka shpallur luftë SPAK-ut, po ashtu projekti në Kuvend amniston korrupsionin e hetuar dhe dënuar nga SPAK-u dhe GJKKO, falë një pazari mes socialistëve dhe një grupi të deputetëve opozitarë, dhe përfitues do të jenë drejtorë të korruptuar, shefa kabinetesh në pushtetin qendror dhe atë vendor, por nga ana tjetër nuk amnistohen protesuesit opozitarë pse kanë kundërshtuar policinë gjatë protestave.

Ministri Manja i hodhi poshtë komentet e zotit Alibeaj gjatë një ndërhyrje ku theksoi se personat nën hetim nga SPAK-u ende nuk kanë një vendim të formës së prerë, ndërsa amnistia përfshin vetëm vendimet e tilla deri më 31 mars 2024.

Zoti Basha dhe zoti Alibeaj u larguan nga salla gjatë votimit të amandamenteve opozitare dhe të ligjit në tërësi, teksa socialistët miratuan amnistinë, duke pranuar amendamentet e propozuar nga deputeti Bardhi dhe rrëzuan amendamentin e sjellë nga deputeti Alibeaj. /VoA/