Sot, Kuvendi miratoi Buxhetin e vitit 2026, i cili është planifikuar si instrument i konsoliduar dhe real për menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, nivel të qëndrueshëm të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Të hyrat e përgjithshme në Buxhetin e vitit 2026 janë planifikuar në nivel prej 374.9 miliardë denarëve, shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 414.2 miliardë denarëve, ndërsa deficiti buxhetor është parashikuar në vlerë absolute prej 39.2 miliardë denarëve ose në nivel prej 3.5% të PBB-së së planifikuar.


Për investime kapitale janë planifikuar 40.1 miliardë denarë, të destinuara për realizimin intensiv të projekteve infrastrukturore, energjetike dhe kapitale që janë kruciale për përmirësimin e kushteve të përgjithshme të jetesës, avancimin e infrastrukturës publike dhe stimulimin e zhvillimit ekonomik.

Me këtë buxhet sigurohen pagesa të rregullta të pagave në sektorin publik, pensioneve, transfertave sociale dhe subvencioneve, mbështetjes për ekonominë dhe aktiviteteve inovative.

Për pagesat e pagave janë projektuar 52.6 miliardë denarë, për transfertat rrjedhëse dhe subvencionet 271.9 miliardë denarë, për pensionet 116.8 miliardë denarë, për mbrojtjen sociale 12 miliardë denarë, për masat aktive dhe politikat e punësimit 2.6 miliardë denarë dhe për mbrojtjen shëndetësore 53.8 miliardë denarë.

Në vitin e ardhshëm, deficiti buxhetor do të vazhdojë të ulet, borxhi publik do të stabilizohet dhe besimi midis investitorëve vendas dhe të huaj do të përforcohet. Masat e parashikuara për të arritur këtë qëllim janë arkëtimi efikas i të ardhurave, formalizimi i ekonomisë joformale dhe shfrytëzimi kursimtar, i kontrolluar dhe ekonomik i mjeteve publike.

“Buxheti është përgatitur me vizion të qartë dhe me qasje të përgjegjshme ndaj financave publike dhe me qëllim që çdo denar i parave publike të destinohet aty ku do të sjellë kthimin më të madh për qytetarët dhe ekonominë. Buxheti për vitin 2026 është përgatitur në bazë të rezultateve të arritura ekonomike dhe pritshmëritë për vazhdimin e trendëve pozitive. Morëm parasysh realitetin në projeksione, ekonominë dhe efektivitetin në planifikim, me qëllim që të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm, funksionim të rregullt të institucioneve dhe pagesë në kohë të të gjitha detyrimeve. Ky buxhet nuk është vetëm dokument me tabela dhe numra – është mesazh ekonomik stabiliteti, besimi dhe zhvillimi. Provë e qartë për menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike që kemi vendosur dhe do të vazhdojmë me kapacitet të plotë”, tha ministrja e Financave Dimitrieska Koçoska, ku përkujtoi arritjet në ekonomi në tremujorin e tretë, kur u shënua rritje prej 3.8%, gjë që paraqet një nga nivelet më të lartat në vitet e fundit.

Ministrja e Financave në sqarimin e saj në Propozimbuxhetin e plotësuar theksoi se në vitin 2026 me këtë propozim sigurohet likuiditeti i financave publike dhe kontinuiteti në pagesën e përgjithshme dhe në kohë të detyrimeve.