LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuesja s’ka guxim të vendosë për pagën e Ramush Haradinajt

Kushtetuesja s’ka guxim të vendosë për pagën e Ramush Haradinajt

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka rikujtuar se kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur pagën vetes.

Por, për dallim prej rastit të demarkacionit, që sipas saj Kushtetuesja u ngut të marr vendim, për “vendimin e paligjshëm dhe të padrejtë të qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për vete”, gjykata nuk po ka guxim të vendosë, shkruan infokusi.

“Argumentet juridike janë të qarta: Pse Gjykata Kushtetuese nuk e ka guximin të nxjerrë aktgjykimin lidhur me rritjen e pagave dhe në anën tjetër u ngut me demarkacionin?!”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.

Në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me një vendim ia ka dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të vet, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Nga rreth 1500 euro sa ishte paga e kryeministrit, ai ka vendosur ta bëjë 2950 euro.

Po ashtu, me vendim të tij, paga e zëvendëskryeministrit do të jetë 2500 euro, deri sa e ministrave nga 2000 euro, shkruan Infokusi.

Haradinaj hoqi dorë nga ky vendim me arsyetimin se do të pres çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese, pas ankesës së Vetëvendosjes. megjithatë, Kushtetuesja ende nuk e ka thënë fjalën e vet as pas më shumë se tre muajsh. /Telegrafi/