ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Qytetarët e Graçanicës u paralajmëruan të enjten se i kanë gjasat e vogla të shpëtojnë pa u hetuar, e mbase edhe dënuar, nëse ndezin zjarre ose i nxisin ato.

Kjo për faktin se për të zbuluar kush i shkaktoi flakët, do të angazhohen edhe dronë.


Këtë paralajmërim graçanicasve ua kumtoi komandanti i stacionit të zjarrfikësve në këtë komune, Florim Ajeti, gjatë një aktiviteti vetëdijesues, bashkë me përfaqësues të policisë, që u mbajt këtu e i cili kishte për qëllim shtimin e kujdesit në lidhje me zjarret.

"Ky aktivitet që patëm sot kjo është më shumë aktivitet lajmërues, vetëdijesues për qytetarët tanë, për mos rindezjen, mos shkaktimin e ndezjeve të zjarreve, mbasandaj fshirjen e, mbeturinave këtu, mos hedhjen e cigareve nëpër rrugë se shkaku i tyre po ndodhin edhe këto. Sot e ngritëm edhe dronin, me i paralajmëru qytetarët që monitorohen edhe me dron. Në rast se do të ketë kapje të tyre, do të pasojnë dënimet që janë të parapara me ligj", tha Ajeti.

Ajeti u tha të pranishmëve që zjarrëvënia gjobitet me 500 euro, ose 30 deri në 50 ditë burgim, varësisht nga dëmet e shkaktuara.

Ai e pranoi se vera e sivjetme, të paktën deri tashti, është më e qetë për sa u përket zjarreve në Graçanicë, krahasuar me atë të vitit të kaluar.

"Kjo verë, fatmirësisht është më e qetë se vera e kaluar. Ka shira më shumë. Vera e kaluar ka qenë shumë e thatë, ka pasur shumë intervenime. Prej gjysmës së intervenimeve, më shumë se gjysma e intervenimeve deri në këtë kohë kanë qenë në verën e kaluar, sivjet është më e qetë. Duke ju falënderuar që po bie edhe shi...Vitin e kaluar kemi pasur gjithsej 522 ose 523 intervenime, vetëm stacioni jonë. Sivjet jemi diku nja 118 deri tash, por është gjysma e vitit pothuajse. Shpresojmë mos të ketë si verën e kaluar", shtoi ai.

Zjarret në këtë zonë, sikur edhe pothuajse gjithandej Kosovës, përfshijnë objekte, ara dhe male.

E banorët këndej pari, si puna e Nojica Millosheviq, thonë se flakët shkaktohen kryesisht pasi të përfundojnë të korrat ndërsa thonë se janë të kënaqur me punën dhe intervenimet e zjarrëfikësve.

“Për momentin gjendja është e mirë, nuk ka ende zjarre, por kur të korret e të fshihet e gjitha, do të ketë zjarre. Reagimi, vijnë menjëherë, po unë kisha rast, nga Llapnasella vijnë menjëherë. Shërbimi i tyre vjen menjëherë”, tha ai.

Edhe bujku Branko Kusoviq tha se shërbimet dhe intervenimet e zjarrfikësve janë të shpejta dhe efikase, kurdo që ka nevojë, ani se e potencoi që sivjet nuk pati shumë raste për ndërhyrje.

“E përcjell situatën sa i përket grurit, korrjes dhe të tjerave. Vitin e kaluar ka pasur disa zjarre të vogla, më të vogla pas korrjes, kur ndizet kashta. Këtë vit ende nuk ka pasur. Nuk ka pasur zjarre, por në çdo rast, edhe nëse ndodh ndonjë zjarr, ndërhyjnë shërbimet e zjarrfikësve dhe e fikin atë në mënyrë efikase, kështu që nuk ka ndonjë dëm të madh”, tha ai. /kp/