"Vidovdani", serbët nisin të mblidhen në Manastirin e Graçanicës


Qytetarët serbë që nga ora 08:00 e mëngjesit, kanë nisur të mblidhen në oborrin e Manastirit të Graçanicës për shënimin e festën e të ashtuquajturës “Vidovdan”.
Aty pritet të mbahet një meshë, derisa nën tingujt e muzikës në gjuhën serbe, qytetarët janë rreshtuar pranë portreteve të Jezu Krishtit dhe Shën Marisë, duke u lutur.
Në hyrje të manastirit janë të pranishme forcat e Policisë së Kosovës të cilat po kujdesen për sigurinë e manifestimit, ndërsa numri i pjesëmarrësve po vazhdon të rritet.
Data 28 qershor shënon zhvillimin e Betejës së Kosovës, ku koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit pësoi humbje nga Perandoria Osmane. Pas kësaj humbjeje, popujt e Ballkanit u pushtuan nga otomanët ose u detyruan të bëhen vasal të sulltanit. Princërit shqiptarë vazhduan të luftojnë e më i shquari ndër ta ishte Skënderbeu. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane.
Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në Fushën e Kosovës, midis koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të prirë nga princi Lazar dhe forcave otomane të udhëhequra nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Beteja ishte e ashpër dhe në të u vranë të dy liderët, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si dhe shumë princër tjerë. Të dy ushtritë gati se u zhdukën fare.
Por, Perandoria Otomane kishte resurse të ngrinte një ushtri të re, për kohë më të shkurtër. Popujt e Ballkanit nuk kishin mundësi të merrnin veten shpejtë dhe shumica prej tyre përfundimisht ranë nën sundimin Otoman.
Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.
Prandaj, kjo ngjarje sot më shumë dihet për nga mitet rreth saj se nga faktet historike. /kp/


































