Qeveria ndan financim për katër projekte infrastrukturore në Mitrovicë, Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq


Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar financimin e katër projekteve infrastrukturore në disa komuna të vendit, në vlerë totale të konsiderueshme investimesh publike.
Sipas tij, vendimi i marrë në mbledhjen e Qeverisë mundëson alokimin e mjeteve për realizimin e projekteve në Mitrovicë, Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
“Me vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është mundësuar alokimi i mjeteve financiare për realizimin e katër projekteve infrastrukturore në komunat Mitrovicë, Fushë Kosovës, Graçanicë dhe Obiliq”, ka deklaruar Basha.
Në Komunën e Mitrovicës, me investim prej 500 mijë euro, parashihet asfaltimi i rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Tërstenë dhe Kutllovc i Vllahisë.
Në Fushë Kosovë, projekti përfshin rehabilitimin e segmentit të rrugës “Agron Rrahmani”, si pjesë e një ndërhyrjeje të përbashkët me Komunën e Graçanicës.
Ndërkohë, në Graçanicë do të financohet rehabilitimi i rrugës Uglari, me vlerë totale prej 200 mijë euro, në bashkëpunim me projektin e Fushë Kosovës.
Në Komunën e Obiliqit, me investim prej 450 mijë euro, do të realizohet zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës që lidh Plemetinin me Hamidin dhe Sibocin, si dhe vendosja e ndriçimit publik.
Basha theksoi se këto investime do të ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në trafik.
“Këto investime do të përmirësojnë infrastrukturën lokale, do të rrisin sigurinë në komunikacion dhe do të krijojnë kushte më të mira për qytetarët në këto komuna”, ka thënë ai. /Telegrafi/





































