LAJMI I FUNDIT:

Kush ishte Riza Lluka, veprimtari i çështjes kombëtare? – flasin ata që e njohën nga afër? (Video)

Kush ishte Riza Lluka, veprimtari i çështjes kombëtare? – flasin ata që e njohën nga afër? (Video)

Riza Lluka kishte vlera kombëtare, intelektuale, diplomatike, kulturore e historike. Njeri i guximshëm, që i qëndroi besnik idealeve të veta deri në frymën e fundit, për të cilat do të kujtohet gjithmonë.

Në katërvjetorin e shkuarjes në amshim, kujtojmë jetën dhe veprën e njeriut të veçantë, Riza Lluka, i cili u lind në vitin 1943 në një familje të vjetër tregtare në Pejë.


Emri i tij filloi të spikatej në njërën prej periudhave më të vështira të popullit shqiptar.

Gjysma e dytë e viteve ’80 të shek. XX, u karakterizua me rritjen e nacionalizmit serb në dëm të popujve të tjerë të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe posaçërisht ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pas vdekjes së udhëheqësit shumëvjeçar të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, në krye të Lidhjes së Komunisteve të Serbisë në vitin 1986 erdhi Slobodan Millosheviqi, i cili nisi fushatën “Serbia unike – Federata e fortë”.

Fushata  kishte për qëllim fillimin e ndryshimeve kushtetuese në thelbin e Kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, më anë të cilës Kosova gëzonte elementin konstituiv në kuadër të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë.


Riza Lluka (1943-2014)

Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, do të ndryshohej Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohej autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë atë si pjesë përbërëse të Serbisë.

Njëri prej delegatëve të Kosovës ishte Riza Lluka, një përfaqësues i denjë i popullit, tek i cili gjente forcën dhe frymëzimin.

Atë ditë ishin të pranishëm edhe shumë njerëz tjerë, përveç delegatëve, të cilët tregonin qartë për vendimet antishqiptare që do merreshin atë ditë.

Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kërkon që të ndalohet votimi i këtyre “mysafirëve”, e që të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Por, fatkeqësisht, kjo nuk u arrit.

Rëndësia e kësaj seance u kuptua edhe prania e gjithë atyre gazetarëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët kishin raportuar edhe për fjalimin e Riza Llukës në foltore, e cila më pas pati jehonë të madhe.

Imazhi i deputetit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet rezistenca dhe përfaqësimi i vullnetit të shqiptarëve shumicë të Kosovës, kjo shihet edhe në xhirimet e publikuara nga mediat ndërkombëtare, përcjell Telegrafi.

Kujtesë, 29-vjetori i suprimimit të autonomisë: Burri që pati guximin t'i kundërvihet padrejtësisë
Lexo po ashtu Kujtesë, 29-vjetori i suprimimit të autonomisë: Burri që pati guximin t'i kundërvihet padrejtësisë

“Duke qenë e re nuk e kam pasur idenë se në sallë kishte njerëz të sigurimit të shtetit. Unë e kam pa që nuk janë delegatë dhe po bëjnë presion ndaj delegatëve për të votuar ndryshimet kushtetuese… E kujtoj me pietet dhe krenari mikun tim të madh Riza Llukën, që ishte ndër më të zëshmit”, tha Melihate Tërmkolli, delegate e Kuvendit të Kosovës në atë kohë.

“Populli nuk i harron kurrë ata dy gishtat e tij kur i ka ngritur kur Serbia e Millosheviqit provoi dhe ia arriti të suprimojë Kushtetutën e vitit 1974. Riza, së bashku me 10 apo 11 veta ngriti zërin kundër atyre ndryshimeve. Ky veprim i ngriti autoritetin atij, si një njeri i përkushtuar me mendje dhe zemër për kauzën e drejtë të popullit tonë”, shprehet profesori Osman Grabovci në emisionin “Dosja Historike” në  RTV Dukagjini.

Të përfaqësosh popullin dhe vullnetin e tij në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës patjetër që duhej pasur shumë guxim dhe vendosmëri, ngase rrethanat ishin të tilla. Cilësi këto që asnjëherë nuk munguan tek Riza Lluka.

Lluka e bëri atë që kishte në mendje ai dhe i gjithë populli, edhe pse ishte i vetëdijshëm për pasojat që mund të vinin më pas. Por vendimi i tij nuk u lëkund në asnjë moment.

“Më kujtohet, nëna na kishte treguar kur babai ishte nisur për Prishtinë për të marrë pjesë në këtë mbledhje të Kuvendit të Kosovës, në atë kohë të Krahinës Autonome të Kosovës. I kishte lënë amanet (nënës) që të kujdesej për fëmijët. Kjo tregon qartë se çfarë rreziku u kanosej atij dhe delegatëve të tjerë, të cilët kundërshtuan  ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Ne si familjarë të tij do ta kujtojmë përherë me respekt dhe dashuri, dhe jemi krenarë që patëm një baba të tillë”, rrëfen Dardan Lluka,  djali i Riza Llukës.

Bëhen 29 vjet nga suprimimi i autonomisë së Kosovës
Lexo po ashtu Bëhen 29 vjet nga suprimimi i autonomisë së Kosovës

“U njoftuam në ditët e vështira, në ditët kur ai ka qenë deputetë i Kuvendit të Kosovës. Unë erdha nga Arabia dhe isha imam në Xhaminë e Kuqe. Më kujtohet ishte natë e madhe dhe pasi e fala akshamin dal nga xhamia dhe më del një person i gjatë dhe më përshëndet. Më thotë: ‘ka mundësi efendi me bisedua me ju?’. I thashë: urdhëro. Më tha: ‘unë jam Riza Lluka, deputetë në Kuvendin e Kosovës. Kam një hall…Nesër është seanca e Kuvendit dhe do të na marrin Krahinën dhe unë do t’i kundërshtoj. Kam nevojë për ndihmë, me lutje te Zoti-sepse ishte besimtar, që të më ndihmoj Zoti ta them atë që e kam shkrua. Se edhe vetes nuk po i besoj që duhet të bëj diçka së paku me fjalë me i kundërshtua. Baba më ka sigurua, më ka thënë të mos bëhem tradhtar, më ka thënë se fëmijët ka me mi ruajt edhe nëse mua më kushton me jetë ky kundërshtim’”, rrëfen ish kryemyftiu i Kosovës, Rexhep Boja, takimin me Riza Llukën.

Para kësaj mbledhje kishte përgatitur një material në të cilin do ta shpaloste para të gjithëve në Kuvend, mirëpo nuk e bëri. Megjithatë bëri veprimin me të cilin u bë  ikonë e politikanit shqiptar.

“Materiali ka qenë shumë interesant. Aty ishin të përshkruara të gjitha tubimet që ishin bërë në Kosovë, ku ishte kundërshtuar ndryshimi i Kushtetutës. Nëse nuk do kishte dashur të hyjë shumë në pjesën politike ai ka mundur të mbështetet në material dhe të thotë se ne jemi delegatë të popullit dhe kërkesat e popullit janë kundër ndryshimit të Kushtetutës. Do të ishte më lehtë të bënte këtë, por Riza nuk e bëri këtë. E bëri diskutimin dhe nuk i ra në mend të bëjë këtë, pasi siç thoshte ai “aty ishte një situatë ku dëshironin me na ngrënë në atë situatë’, edhe erdhi situata dhe Riza bëri diskutimin dhe votoi kundër. Ai ishte i edukuar në atë frymë kombëtare”, rrëfen Nazmi Gega, mik i Riza Llukës.

Dokumentari "Gishtërinjtë që trandën Jugosllavinë", në kujtim të Riza Llukës (Video)
Lexo po ashtu Dokumentari "Gishtërinjtë që trandën Jugosllavinë", në kujtim të Riza Llukës (Video)

“Ai u shpëtoi serbëve për pak. Ka qenë plani që ta vrasin, sepse ai ishte i rrezikshëm për ta. I shkuan në shtëpi, por nuk mundën ta gjenin”, tregon Rexhep Boja.

Megjithëse ishte i dëshpëruar nga votimi pro i ndryshimeve kushtetuese, kjo gjë nuk e ndali në rrugën e tij për çështjen e kombit ngase ishte i guximshëm, intelektual, e mbi të gjitha i rritur në frymë kombëtare.

Riza Lluka do mbahet mend edhe si misionar në pajtimin e gjaqeve në SHBA në krye me Anton Çetën gjatë viteve të ’90-ta.

“Kur flasim për Rizën, flasim edhe për një humanistë të madh. Po e zëmë shembull kohën e pajtimit të gjaqeve. Riza nuk ishte spektator i thjeshtë i atij aksioni aq human, por ishte aktor i atij aksioni. Ai jo vetëm në Kosovë, por së bashku me Anton Çetën, Mark Krasniqin,  Bajram Kelemendin, Mustafë Radoniqin e shumë të tjerë, morën rrugën për në Amerikë për të pajtuar vëllezërit shqiptarë që kishin armiqësi e mospajtime dhe u kthye nga SHBA me shumë suksese”, rrëfen profesori Osman Grabovci.

Në këtë aksion u gjend përkrah rinisë së Pejës, përkrah Anton Çetës, Zekria Canës, Mark Krasniqit, Rexhep Boja, Don Lush Gjergjit, e të tjerë.

Ishte njohës i mirë i kulturës dhe historisë, andaj edhe bëri përpjeke të njëpasnjëshme për zbardhjen dhe ruajtjen e fakteve dhe dëshmive historike. Pos tjerash u fokusua për prejardhjen dhe jetën e autorit të himnit të Turqisë, Mehmet Akif Ersoit. Pas angazhimit të tij, qeveria turke ndërtoi shtëpinë e Ersoit dhe Xhaminë në fshatin Shushicë, të komunës së Istogut.

Ai ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare  përgjatë viteve 1992-1998 .

Lluka i kushtonte kujdes të veçantë arsimit, shtimit të rinisë shkollore e studentëve, stimulimit të tyre përmes angazhimit të strukturave të qeverisë dhe aktivizimit të gjitha resurseve vendore e ndërkombëtare që të gjenden mjete për plotësimin e këtyre nevojave.

“Arsimin e ka dashtë shumë, ka dashur edhe çdo sferë tjetër që ka pasur lidhje me arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë. Por në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës ka pasur edhe kundërshtarë të mëdhenj, që ishin të lidhur me serb dhe malazez”, tha Ali Sylqa, mik i Riza Llukës.

“Ka qenë rasti tjetër kur rektori i universitetit erdhi te unë dhe më tha: na mbyllën universitetin, s’kemi ndërtesë ku të bashkohemi dekanët’. Dhe bisedojmë me Rizën, si të gjejmë zgjidhje për ta. Zyrat e korrespodentëve të Zagrebit i kishte Ekremi. Mi dha çelësat, dhe më tha, jepja rektorit. Bashkë me Rizën shkuam bashkë te rektori dhe i thamë ja ku i ke zyrat, vazhdoje punën. Na tha u bëtë shkaktar ju dhe u rihap për së dyti universiteti”, tregon Rexhep Boja.

Pas luftës, sikurse i gjithë vendi, edhe qyteti i Pejës ishte shkatërruar. Çdo lagje kishte shtëpi e dyqane të djegura. Edhe këtu Riza Llukën e gjejmë të angazhuar në rimëkëmbjen e qytetit të tij të lindjes.

Riza Lluka, ai që guxoi!
Lexo po ashtu Riza Lluka, ai që guxoi!

Pas kësaj periudhe punoi si këshilltar i lartë profesional në Korporatën “Dukagjini”, ku më pas themeloi dhe udhëhoqi Radion dhe Televizionin Dukagjini.

“Ardhja e tij në RTV Dukagjini u prit jashtëzakonisht mirë. E nderonin të gjithë. Ai kishte një vizion për avancimin e punës në radiotelevizion. Kështu u begatua programi televiziv i RTV Dukagjinit”, tregon Osman Grabovci.

Humanizmi i tij vërej në çdo hap që bënte. Këtë e dëshmoi edhe në momentin më të duhur, atëherë kur në Pejë u hap kuzhina humanitare nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

“Kur kam shkuar për herë të parë me hap kuzhinën humanitare në Pejë, personi i parë që e kam takuar kishte qenë ai [Riza]. Kam shkuar te RTV Dukagjini dhe më ka prit në zyrën e tij. Pasi e kam njohur kam kuptuar se ai ishte edhe më parë humanist”.

“…Ditën kur jam takuar me të dhe i kam dhënë idenë se kam ardhur për të hapur një kuzhinë humanitare. Më ka thënë se a ka mundësi të përqafojë njëherë, ndoshta kuzhina nuk do të hapet kurrë,  unë mjafton që dëgjova diçka që ka njerëz të mirë dhe duan të bëjnë diçka të madhe. Dhe bashkarisht e kena hap kuzhinën”, rrëfen humanisti Halil Kastrati.

Kastrati: Takimi emocionues me Riza Llukën, moment vendimtar për hapjen e kuzhinës humanitare (VIDEO)
Lexo po ashtu Kastrati: Takimi emocionues me Riza Llukën, moment vendimtar për hapjen e kuzhinës humanitare (VIDEO)

Fillimet e kuzhinës humanitare nuk ishin të lehta, por problemet sidomos ato financiare zgjidheshin nga Riza Lluka.

“Nga ai takim, Riza është ‘shkaktari’ kryesor i mbarëvajtjes së punës sonë. Njerëzit kryesor i ka anëtarësua në shoqatë. Nuk hezitonte as natën e as ditën për t’u përgjigjur. Kur u mbështetnim për muri, kërkonim ndihmë te ai dhe të nesërmen borxhi në markete ishte shlyer”, ka treguar Kastrati, përcjell Telegrafi.

Këshillat e tij kujtohen edhe sot nga të gjithë ata që e njohën.

“Shpresoj të ketë edhe njerëz të tjerë si Riza Lluka në Kosovë. Ka qenë për t’u marrë shembull. Unë kam qëndruar shumë kohë me të dhe kam përfituar nga këshillat e tij… Nuk do ta harrojë një moment, kur dy ditë para se të vdesë jam dëgjuar me të në telefon. Më ka thënë “e di që je duke u lutur për mua, por shpeshtoje pak lutjen për mua”. E kam dashtë me gjithë zemër. Shpresojë se Zoti ta ketë shpërblye”, thotë ndër të tjera drejtori i Shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati.

Hapja e shkollës së vetme të baletit në Pejë është një tjetër meritë e Riza Llukës.

“Riza ishte një ditë me shokë kur rastësisht e pa një vajzë që po lëvizte bukur. E thirri atë dhe i tha: a ka mundësi të më tregosh cilët janë prindërit e tu. Ajo i tregon prindërit dhe ai shkon për t’i takuar. Ai u thotë prindërve se nga ka mësuar kjo vajzë të lëvizë kaq bukur. Ata i thonë që jemi nga Prizreni dhe këto lëvizje ajo i ka mësuar në një shkollë baleti në Prizren me profesorin Tasim Dajçi”

“…Një ditë më bie telefoni dhe më paraqitet një person dhe më thotë: ‘Tasim Dajçi, jam Riza Lluka nga Peja, mund të bisedojmë? Thashë: po si jo. Erdhi dita u takuam dhe ai më thotë: ‘Të lutem mos thuaj jo’. Si është puna, i thashë. Më tha: ‘kemi nevojë për një person si ju të vij në Pejë dhe të ndërtojë një grup baleti…’ Erdha në Pejë dhe punova me përkushtim. Por unë u çudita me Rizaun që ai ishte në gjendje brenda ditës të ndërtonte sallën e baletit. U detyrova t’i them, do të punojmë me te vërtet”, rrëfen koreografi Tasim Dajçi.

Pra, kishe vizion dhe çdo gjë të mirë donte që ta kishte edhe qyteti i tij i lindjes, Peja.

“Ai nuk donte vetëm artin, por çdo gjë të bukur të Pejës. Ai njeri universal. Ai studionte, lexonte. Merrej me pleqtë e Pejës, u ndërtonte shtëpi. Mendonte edhe për rininë. Nuk kam koment për atë burrë. Rizai duhej të ishte i pari që duhej të mburrej më këtë gjë të bukur”, shprehet më tej koreografi Tasim Dajçi për figurën e Riza Llukës.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prizren përfundoi arsimimin në drejtimin e arkitekturës dhe ishte njëri ndër të parët e kualifikuar të kësaj fushe.

Ali Berisha kujton Riza Llukën dhe shokët e tij: 28 vite më parë ishte fillimi i thyerjeve të mëdha
Lexo po ashtu Ali Berisha kujton Riza Llukën dhe shokët e tij: 28 vite më parë ishte fillimi i thyerjeve të mëdha

U punësua në Ndërmarrjen ndërtimore “Izgradnja”, një ndërmarrje e njohur e kohës brenda dhe jashtë vendit. Aty tregoi gjithë profesionalizmin e tij, duke qenë ideator i shumë projekteve të mëdha.

“Riza mi ka qit penjtë e kësaj shtëpie. Pasi ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Prizren, ai më tha se ka dëshirë të vejë penjtë e shtëpisë. I thashë ti je ende i ri , sa e ke mbarua shkollën. Po më qet shtrembët apo gabim themelin. Më tha ti mos u shqetëso. Erdh dhe ja qiti penjtë. Pra kumbarë i kësaj shtëpie është ai”, rrëfen Nazmi Gega, mik i Riza Llukës.

Trevjetori i shkuarjes në amshim i atdhetarit, humanistit dhe idealistit Riza Lluka
Lexo po ashtu Trevjetori i shkuarjes në amshim i atdhetarit, humanistit dhe idealistit Riza Lluka

Me 25 nëntor 2014 pas një beteje me sëmundjen e kancerit, Riza Lluka ndërroi jetë në moshën 71 vjeçare dhe deri në ditët e fundit të jetës ishte në krye të RTV Dukagjini në detyrën e drejtorit.

“Përcillja gjendjen e tij çdo ditë. U mundonte të thoshte mirë jam. Shpresat janë që po bëhem më mirë… Kosova ka humb një njeri të madh. Ai ka qenë për çdo njeri që do kombin e tij, ai ka qenë i dashur. Ai ka mbet në kujtimet e mia, por edhe në kujtimet e historisë së vendit tonë, për kontributin e tij”, thotë Rexhep Boja- ish kryemyfti i Kosovës.

Dyvjetori i vdekjes së misionarit për drejtësi: Jeta dhe vepra e idealistit Riza Lluka (Video)
Lexo po ashtu Dyvjetori i vdekjes së misionarit për drejtësi: Jeta dhe vepra e idealistit Riza Lluka (Video)

“Një personalitet shumë i dashur për mua. Shumë i fuqishëm, në kohë dhe rrethana të rënda. Një zë shumë i fuqishëm i Kosovës, i shqiptarëve, që deri në vdekje nuk u ndal duke punuar për këtë vend. Një personalitet shumëdimensional”, thotë Melihate Tërmkolli – ish delegate në Kuvendin e Kosovës.

Jeta dhe vepra e idealistit Riza Lluka: Njëvjetori i vdekjes së misionarit për drejtësi
Lexo po ashtu Jeta dhe vepra e idealistit Riza Lluka: Njëvjetori i vdekjes së misionarit për drejtësi

“Jemi krenarë që patëm një prind të tillë, i cili na mësoi dhe edukoi të jemi të ndërgjegjshëm dhe të afërt me njerëzit. Sot unë vërej se te babai im ishin dy gjëra, dy dashuri. Njëra kushtuar fëmijëve dhe familjes, tjetra kushtuar atdheut”, thotë Dardan Lluka,  djali i Riza Llukës./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Lajme
​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

​Osmani për fjalimin e saj në KS të OKB-së: E kemi thënë të vërtetën

Politikë
Kalo në kategori