LAJMI I FUNDIT:

Kush ishte fajtor për fotografimin e nxënësve me portretin e Osmanit dhe Konjufcës në duar – pozita e opozita me deklarata të kundërta

Kush ishte fajtor për fotografimin e nxënësve me portretin e Osmanit dhe Konjufcës në duar – pozita e opozita me deklarata të kundërta

Sikurse çdo vit tjetër në prag të shënimit të Ditës së Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për të mirëpritur vizitat e fëmijëve nga shkolla të ndryshme.

Një vizitë e tillë është bërë edhe sot, por në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi ku shihen nxënësit që mbajnë në duar fotografinë e presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufa.

Nuk dihet ende se kush e ka publikuar së pari këtë fotografi e cila ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, për përdorim të imazhit të fëmijëve gjoja për çështje politike.

Analisti Imer Mushkolaj ka shpërndarë fotografinë në Facebook, ku e ka përmendur rastin e profesorit nga Vushtrria i cili kishte publikuar në rrjetin social TikTok video duke vallëzuar e që ishte kritikuar për gjestin e tij.

“E shajshi profën e Vushtrrisë. Ndërkohë, qe vepra e një mësuesi tjetër, në kulmin e budallakisë. Nxënës me foto të Vjosës dhe Glaukut në duar”, ka shkruar Mushkolaj.

Pas kësaj ka reaguar edhe shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Konjufca, Ilir Kërçeli, i cili tha se fotografia është realizuar pa dijeninë e tyre.

“Në këtë foto po shihen fëmijët duke mbajtur fotografinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes. Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike. Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.

Ndërkaq të kundërtën e kësaj e ka thënë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Musliu përmes një postimi në Facebook ka thënë se ato fotografi fëmijëve u janë dhënë nga administrata e Kuvendit. Më tutje Musliu tha se mësuesit dhe fëmijët janë të pafajshëm, teksa përmendi se edhe nipi i saj është fotografuar me fotografinë e Osmanit.

“Mos i gjykoni mësueset, fotot fëmijëve ua dhanë administrata e Kuvendit të përkrahur edhe nga dikush tjetër aty. Nuk linin hapësirë për të ju shpjeguar asgjë siç ka ndodhë çdo vit, thuajse e kanë pasë obligative vetëm te sfilojnë me këto foto. Nipi im me foto të Vjosës. Isha prezent gjatë ceremonisë se fotografimit. Fëmijët janë të pafajshëm mësueset po ashtu. Historinë s’mund ta ndryshoj askush! Gëzuar ditëlindjen e 14-të Kosovë”, ka shkruar Musliu. /Telegrafi/