LAJMI I FUNDIT:

Kush e ndërtoi Murin Kinez?

Kush e ndërtoi Murin Kinez?

Nëse thoni se e ndërtuan kinezët, kjo sigurisht paraqet vetëm gjysmën e së vërtetës. Atë e ndërtoi frika dhe urrejtja.

Këto ditë, jo pa arsye, Muri Kinez, i vetmi objekt i bërë nga dora e njeriut i cili shihet edhe nga gjithësia, u përmend shpesh si metaforë, kryesisht për të shprehur marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Duhet pranuar, me lehtësim, se edhe këtë muaj nuk do të ketë luftë, së paku jo për shkak të murit. Muri i Mitrovicës, i cili ka shumë gjasa të jetë suksesi i vetëm politik i Kosovës në këtë vit, u legalizua në tjetër formë, si gjithçka tjetër në këtë proces të pafund të normalizimit të marrëdhënieve në mes fuqive të botës në Kosovë.


Pra, muri do të jetë, por edhe nuk do të jetë. Kështu do të jenë të kënaqura të dyja, apo më mirë me thënë të gjitha palët, e realpolitikës, (para)politikës dhe kontrabandës. Qytetarët nuk janë palë. Është ba rutinë. Thjesht, po jetojnë me stres.

Kriza do të vazhdojë, se kriza është biznesi kryesor në këto anë. Pra, delet janë në numër dhe blegërijnë pafajshëm nëpër rrjetet sociale, ndërsa ujqit andej dhe këndej po ulërijnë maleve. Gjendja e bën situatën, si do të thoshte Ramizi.

E dimë nga librat se kinezët e përdorën murin për t’u mbrojtur nga fqinjët e tyre barbarë, ndërkohë që ne po e përdorim vetëm si një metaforë. Sido që të jetë, barbarët në këtë rrëfim jemi ne këndej murit, këndej urës, këndej lumit, apo thjesht ne këndej. Vija ndarëse na fali edhe natyra e edhe dora e njeriut. Edhe akademikët po thonë me e nda. Ata vazhdojnë të na thonë se nuk duan të jetojnë me ne, e ne vazhdojmë të themi se duhet të jetojmë bashkë…! Pak a shumë kjo është gjendja.

E, situata vazhdon të jetë e tensionuar. Pra, gjendja e bën situatën.

Epo, mjafton ky që do ngrihet në lartësi prej (vetëm) 70 centimetra se nuk ka hapësirë për një mur kinez këtu. Nuk ka as kapacitete inxhinierike, edhe pse frika, e madje edhe urrejtja janë në kulm. Por, palët në Bruksel janë pajtuar se në këtë marrëdhënie , madhësia nuk ka rëndësi, se me rëndësi është akti.

Por, mos t’i shajmë kinezët. Mbase kur të kuptojnë ngjashmëritë edhe na njohin. Qysh e dini, te ne muri nuk është veç simbol i ndarjes, por edhe i identitetit. Në të kaluarën e afërt, porsa vëllai bëhej shtëpi më vete, puna e parë e tij ishte të ndërtonte një mur në mes tij dhe vëllait të vet. Sidomos ishte me rëndësi të kishte kujdes për strehët, pra se ku do të pikë streha, në tokën e kujt. Më i vështirë ishte demarkacioni mes vëllait me vëllain, se me Malin e Zi. Më i rezistueshëm është muri në kokat tona, sesa kur ai ndërtohet me çimento.

Pra, tema jonë e sotme është Muri Kinez në kokat tona. Është ndërtuar me urrejtje, mosbesim dhe përvojë të keqe. Përvoja e keqe historike me fqinjin verior dhe frika nga hakmarrja e krijoi idenë e murit. I ngritur fillimisht në kokë, pastaj ai sipas rrjedhës spontane të negociatave mori formën e barrikadave mbi urë, “Parkut të paqes” , murit që mbronte një amfiteatër apo këtij tash… kush e di si do të quhet, nga agjitpropi.

Tash, me ndihmën ndërkombëtare, me ekskavatorë lokalë po rrënohen vetëm muret, ato jashtë kokave tona. Por, ato po forcohen në kokat tona, përmes krizave permanente të cilat i krijon pushteti andej dhe këndej urës – me qëllim. Qysh me i rrënua muret në kokat tona?

Ajo që duhet rrënuar është nevoja për mur. Politika në të dy anët e murit e mban murin në kokat e tona për interesa të veta.

Muri u rrënua nga e njëjta makineri, politikë, psikozë, e cila edhe e ndërtoi. Muri e kreu misionin e vet. Sikurse edhe treni. Politika andej e këndej ka problem me qytetarët, e sidomos me demokracinë.

Tashmë është e qartë se presidentët u futen në lojë për shkak të komplikimeve që po ua shkakton popujve tonë demokracia. Ata shkuan edhe në Bruksel, pa i ftuar askush, në rundin e dytë të bisedimeve. Nëse nuk na leni të hyjmë ne, ju krijojmë kriza vazhdimisht, kërcënuan ata pa fjalë. Përçarja e arritur ndër qytetarë dhe ndër parti është e plotë dhe e bën shoqërinë dhe shtetin krejtësisht jofunksional. Asnjë projekt nuk kalohet përmes Parlamentit, rrjedhimisht kokat tona politike janë edhe nuk janë për demokraci.

Kështu, invadimi i presidentëve në politikë jep idenë se demokracia është kënaqësi dhe telash, njëkohësisht. Pushteti është përgjegjësi e madhe për me ia lënë në dorë shumicës së padijshme. Ku i di shumica interesat e oligarkisë? Veç media e lirë, shoqëria civile, munden me i mbrojt interesat e oligarkisë. Populli, apo oligarkia?

Trenit, për shembull, oligarkia ia pa hairin. Kriza me trenin e instaloi telefonin e kuq, apo qysh veç e ka ngjyrën. Tash demokracia nuk mundet me ia prishë planet presidentëve. Qysh të duan ia bëjnë.

Andej dhe këndej urës, në çdo festë stolisen sheshet, me emra armiqsh për njëri tjetrin, për të provokuar anën tjetër. Muret rrënohen, me ekskavator, pavarësisht se të kujt janë ata, por mosbesimi, frika, ndjenja e urrejtjes dhe e hakmarrjes i ndërtojnë muret sërish në ndonjë formë tjetër. Kështu autobusët apo trenat plot me udhëtarë rrezikojnë të përplasen prej papërgjegjësisë.

Kur jemi te procesi, krejt kjo më asocioi me një autobus. Pra, një autobus po lëshohej me shpejtësi rrugës ndërkohë që pas tij si i çmendur po vraponte një njeri.

“Është shumë shpejt, nuk ke gjasa me e zanë”, po i thoshte një kalimtar tjetër, ndërkohë që tjetri i përgjigjet pa u ndalur fare: “Më duhet patjetër me e zanë, sepse unë jam shoferi…!”