Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është regjistruar sot si deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa tha se asgjë e rëndësishme nuk mund ta anashkalojë këtë organ pasi Kosova është republikë parlamentare dhe organi më i lartë legjislativ e politik.

Kurti pas regjistrimit në Kuvend uroi të gjithë deputetët, duke thënë se Kuvendi është një vend ku duhet t’i dalin zot nevojave të qytetarëve dhe t’i përmbushin premtimet.

“Uroj të gjithë deputetët tjerë dhe dëshiroj që të bashkëpunojmë sa më shumë për të mirën e shtetit”, tha ai.

Duke folur për takimet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa tha se po përpiqen ditë e natë me komunikime të rregullta që sa më parë të vijnë te marrëveshja përfundimtare me koalicionin qeverisës, raporton Telegrafi.

Ai tha se programit qeverisës tashmë të harmonizuar, do t’i bashkëngjitet edhe ndarja e funksioneve.

“Pra këto kontakte dhe takime do të vazhdojnë çdo ditë. Por takimi nuk duhet të jetë lajm, por rezultati…kur t’i kemi ato do t’ua tregojmë juve për ta njoftuar opinionin. Tash kemi për çdo ditë takime. Edhe prej herës së fundit jemi dakorduar që komunikimin ta kemi shumë herë gjatë ditës, në mënyrë që ta rrumbullakojmë marrëveshjen”, tha Kurti.

Ai tha se tashmë më 24 dhjetor është seanca konstituive, por siç tha ai “Shpresoj e uroj që të mos i kemi të nevojshme 11 ditë që të arrijmë këtë marrëveshje aq shumë të dëshiruar prej nesh e aq shumë të pritur nga popullit”. /Telegrafi/