LAJMI I FUNDIT:

Kurti për vitin e parë të qeverisjes: Vit i kthesës drejt zhvillimit ekonomik, janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës

Kurti për vitin e parë të qeverisjes: Vit i kthesës drejt zhvillimit ekonomik, janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës

Në adresimin para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar vit të kthesës drejt zhvillimit ekonomik vitin e parë të qeverisjes së tij.

Kurti gjatë takimit me kabinetin e tij, ka thënë se brenda këtij viti janë krijuar 25 mijë vende pune dhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë 2021-së ka shënuar rritje prej 10.53 për qind.


“Sipas Agjencisë së Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto real për vitin 2021 ka shënuar rritje prej 10.53 për qind. Për këtë vit eksportet kanë arritur vlerën prej 2 miliardë e 698 milionë euro me një rritje prej 83.6 për qind. Të hyrat doganore janë rritur për 31 për qind. Investimet e Huaja Direkte krahasuar me vitin 2020 janë rritur për 21.8 për qind”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

“Këtë vit kemi miratuar buxhetin prej 2.75 miliardë euro që është 12 për qind më i lart se viti 2021. Janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës, prej të cilave 10 mijë janë si rezultat i Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se është ndalur keqpërdorimi i miliona eurove nga anulimi i disa marrëveshjeve, tenderëve apo kontratave të më hershme.

Kurti flet për punën njëvjeçare të Qeverisë: Ishte vit i zhvillimit ekonomik dhe luftimit të krimit e korrupsionit- u arrestuan 270 zyrtarë shtetërorë
Lexo po ashtu Kurti flet për punën njëvjeçare të Qeverisë: Ishte vit i zhvillimit ekonomik dhe luftimit të krimit e korrupsionit- u arrestuan 270 zyrtarë shtetërorë

“Janë anuluar marrëveshje të ndryshme, tenderë dhe kontrata. Është ndalur keqpërdorimi i 43 milionë eurove për shpronësimin e segmentin Kline-Kievë-Zahaq. Është anuluar projektprokurimi i dyshimtë për furnizimin me kartela identifikuese në vlerë prej 21 milionë euro, ku nga rinegocimi kursejmë rreth 4 milionë euro në vit”, theksoi Kurti, përcjell Telegrafi.

I pari i Qeverisë, është shprehur se Dogana e Kosovës ka trajtuar mbi 1,700 raste të kontrabandës dhe kundërvajtjes.

“Dogana ka trajtuar 1,774 raste të kontrabandës dhe kundërvajtjes në vlerë prej mbi 4 milionë euro, ndërsa gjobat janë mbi 1.35 milion euro. kemi larguar pagesën prej 100 euro për homologimin e automjeteve, duke kursyer miliona të qytetarëve nga zhvatja që po iu bëhet atyre”, është shprehur ai.

Një vit nga qeverisja e Kurtit, Gërxhaliu: Janë lënë në hije problemet ekonomike
Lexo po ashtu Një vit nga qeverisja e Kurtit, Gërxhaliu: Janë lënë në hije problemet ekonomike

Më fund, sipas Kurtit, 2021-ta ishte edhe viti i bujqësisë.

“Ishte edhe viti i bujqësisë. Janë realizuar pagesa në vlerë prej 21 milionë euro. Në këtë ministri janë arrestuar 23 zyrtarë për keqpërdorime. Janë ndarë 70 milionë euro për fermerët”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se më 22 mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar qeverinë e re, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. /Telegrafi/