LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Pas 6 tetorit përfundon koha e korrupsionit dhe tenderëve për ‘dosta’

Kurti: Pas 6 tetorit përfundon koha e korrupsionit dhe tenderëve për ‘dosta’

Në një tubim me gra e vajza, kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se pabarazia gjinore në shoqërinë dhe institucionet kosovare duhet kritikuar, kundërshtuar e luftuar.

Edhe në këtë tubim ku temë ishte barazia gjinore, nuk mbeti pa u përmendur korrupsioni.


Kreu i VV-së tha se korrupsioni është më shumë se i lidhur me qeverinë, madje ai tha se korrupsioni buron nga qeveria.

Sipas tij duhet të ndërrohet qeveria që të eliminohet korrupsioni.

“Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, por kur vjen puna te papunësia ato janë më shumë se gjysma, kur vjen puna te diskriminimi ato janë më shumë se gjysma, kur vjen puna te varfëria ato janë më shumë se gjysma, kur vjen puna te përçmimi e objektifikimi sërish janë më shumë se gjysma. E kur vjen puna te postet, ato janë më pak se gjysma. Kur vjen puna te meritat, ato janë më pak se gjysma. Kur vjen puna te fitimi, sërish janë më pak se gjysma. Kur vjen puna te drejtësia e te respekti, përsëri janë më pak se gjysma. E, kur vjen puna te pronësia janë shumë më pak se gjysma. Pabarazia gjinore në shoqërinë dhe institucionet tona duhet kritikuar, kundërshtuar e luftuar. Qeveria jonë e re pas zgjedhjeve demokratike të 6 tetorit është kushti dhe mundësia, zotimi ynë dhe garancia jonë për juve. Gratë kanë nevojë për më shumë qasje dhe më shumë mbështetje në të bërit biznes, gratë kanë nevojë që edhe shteti të kuj deset për fëmijët e tyre, për shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre për shtesat për fëmijët e tyre dhe asisoj gratë të kenë më shumë kohë për veten e tyre, për profesionin e tyre”, tha Kurti.

Ai u shpreh se gratë sidomos në fshatra kanë nevojë për qasje të shpejtë në qendrat klinike të specializuara. Sipas tij, gratë kanë nevojë për politika punësimi dhe avancimi në karrierë, të cilat nuk duhet ta synojnë barazinë në një të ardhme të largët por sa më shpejt duke filluar që në mandatin e parë.

Kurti tha se gratë kanë nevojë për kushte të dinjitetshme të punës dhe jetës, që as puna të mos ua rrezikojë shtatzëninë, e as shtatzënia të mos ua rrezikojë punën.

“Dobësimi i shtetit dihet që e godet më shumë gruan se burrin në familje dhe jashtë saj, e forcon patriarkalizmin dhe e rrit varësinë e gruas. Shteti ynë është dobësuar nga mos zhvillimi, nga padrejtësia e nga pabarazia. Pas 6 tetorit mbaron koha e korrupsionit dhe dominimit të tij, mbaro koha kur jepnin tenderë e licenca për para për vete, bënin privatizime e koncesione për para për vete. Nuk ka më tendera për dosta dhe as licenca për monopol. Nuk ka më as shitje të pasurive e ndërmarrjeve, apo uzurpime të tokave e të objekteve. Korrupsioni është më shumë se i lidhur me qeverinë, korrupsioni buron nga qeveria. Prandaj, duhet ta ndërrojmë qeverinë dhe ta eliminojmë korrupsionin. Prandaj, duhet ta votojmë Vetëvendosjen, prandaj duhet të fitojë Vetëvendosja”, tha ai.

Kreu i VV-së u shpreh se për qeverisjen e tyre nuk janë të pranueshme shtypja e shfrytëzimi, cenimi dhe ngacmimi. Ai tha se nevojiten ligje që mbrojnë gruan duke u zbatuar si normë për realitet, e jo duke ngelur tekst për letër.

Para grave e vajzave, Kurti tha se erdhi dita për fitoren e grave e të burrave që vendosin vet, pasi fitorja e VV-së sipas tij, është fitore e grave dhe e vajzave që do të lëvizin për ndryshime si forcë emancipuese për gjithë shoqërinë.

Ndërkaq, kryetari i Qendrës së VV-së në Prishtinë, njëherësh kandidat për deputet Arben Vitia, tha se si parti janë përpjekur në vazhdimësi që me punën dhe programin t’i përgjigjen kërkesave dhe nevojave të grave për të larguar nga supet e tyre barrën e rëndë të përkujdesjes shoqërore.

Vitia ka përmendur disa nga pikat programore, e që sipas tij përfituese janë gratë dhe vajzat e Kosovës.

Ai tha se qeveria Kurti garanton përfitimin e pronës së trashëguar nga vajzat dhe gratë në familjet e tyre. Vitia tha se gratë kryefamiljare do të kenë përparësi në modelin e tyre të banimit të përballueshëm, do të kenë përparësi në subvencione të garantuara nga shteti për bizneset e vogle dhe për vende dinjitoze të punës.

Ndërkaq, kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, u shpreh se duke parë kandidatët për deputete është e bindur se në Kuvend do të ketë aktiviste që do ta ngrenë zërin për barazi dhe drejtësi.

Ajo ka ndarë me gratë aktiviste të LVV-së edhe një mesazh që asaj ia kishte thënë babai i saj, e që ishte që secili të punojë për të ndihmuar tjetrin.

Në këtë tubim rrëfimet e tyre i kanë ndarë edhe disa kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /Kp/Telegrafi/