LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Nuk e kemi prioritet dialogun, duhet të përgatitemi mirë

Kurti: Nuk e kemi prioritet dialogun, duhet të përgatitemi mirë

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti thotë se procesi i dialogut nuk është prioritet i tij. Për më tepër, ai thekson se ky proces është zvarritur, meqë gjithmonë është nxituar.

Ai në ditën kur është konstituuar kuvendi, e që vet ai nuk pati të drejtë kandidimi për deputet, në një tryezë diskutimi ka thënë se nuk është për dialog me regjisor dhe skenarist.


Përkundër paralajmërimit të Bashkimit Evropian për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka deklaruar se nuk mund të ketë asociacion një-etnikësh.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka shumë çështje që duhet të diskutojë me Serbinë.

Ai në tryezën e organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, me temën “Si tutje me Dialogun”, tha se Serbia duhet të ia kthejë Kosovës rreth 3 miliardë euro borxhe. Veç tjerash edhe të ofrojë dëmshpërblim për pronat e dëmtuara, kompensim për vuajtjet e luftës dhe po ashtu të kërkoj falje.

Ai ka përmendur katër parimet për dialogun e ardhshëm.

“E para duhet të pranohet realiteti, e dyta duhet pranohet e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe e katërta duhet të përfitojnë qytetarët. Duhet të pranohet realiteti sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, para shpalljes. Po të ishte kjo e mundur edhe ne do të kërkonim shumë. Pra, pavarësia ishte kompromis, për më tepër se kaq, pavarësia nuk është shpallur vitin e kaluar, por para 13 vjetësh”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së djeshme, Bashkimi Evropian ka ritheksuar se Kosova duhet ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e parandalon këtë. Por, Kurti përsëriti se kjo nuk mund të ndodhë.

“Neni 44 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e asociimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion një-etnik, nuk mund të jetë karakteri i asociacionit të komunave- por jo një-etnik e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, i shpallur më 25 dhjetor të vitit 2015. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Sipas tij, historia e Kosovës dihet dhe se pushteti i Serbisë duhet të reflektojë për krimet që ka bërë.

Kreu i LVV-së përsëriti se vazhdimi i dialogut nuk është prioritet i tij. Albin Kurti ka theksuar se ky proces është zvarritur, meqë është nxituar.

Kandidati për kryeministër ka shtuar se sapo të marrë mandatin duhet të shikojë dokumentet se ku e ka lën ish-kryeministri Avdullah Hoti procesin e dialogut.

“Së pari unë duhet të marrë ato dokumentet, se nuk e di se ku e ka lën zotëri Hoti. Herën e kaluar kur kam hyrë në zyrë, me 4 shkurt të vitit të kaluar, dollapët kanë qenë përgjithësisht të zbrazëta, por edhe follderet e thatë. Është për të ardhur keq që secila qeveri disi fillon nga fillimi. Por, duhet të bëjmë një skanim të gjendjes në të cilën ndodhemi. Me ato 33 marrëveshje për të cilat nuk pajtohemi me Beogradin as për numrin e marrëveshjeve. Ne themi që janë 33, ata thonë 47 disa 49. Duhet të shohim shkallën e zbatueshmërisë. Dhe ta mbyllim atë pjesë pa e mohuar por për ta tejkaluar. Duhet të përgatitemi mirë për dialog, nuk mund të kemi edhe një dështim të radhës. Për këtë arsyee unë nuk jam që të ngutemi me ato fjalët historike, gjithëpërfshirëse”, ka shtuar ai.

Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit, Kurti tha se ka qenë një zotim i njëanshëm. Ai ka vazhduar kritikat për këtë marrëveshje meqë sipas tij është bërë shpejt-shpejt.

“Besoj me të drejtë e kemi kritikuar, si një tryezë suedeze, si një bufe ku ndoshta është menduar të marrësh dy-tri gjëra, varësisht se çfarë do të jetë e favorshme. Kemi një administratë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi një qeveri të re së shpejti në Kosovë. Nuk mendoj që duhet të merremi shumë me atë, a e refuzon çdo gjë, apo pjesërisht por ajo marrëveshja nga pika e fundit ngjan më së miri edhe mirë është me u ndal aty. Nuk guxon asnjë zyrtar të thotë se nuk do të angazhohet për njohjen ndërkombëtare në organizata ndërkombëtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk është përfillur një gjë e tillë, sepse besoj që është ditur që qeveria që shkon nuk e ka të gjatë. Prandaj, ka ekzistuar edhe një mos kokëçarje”, tha ai.

Ai pohoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë gjithmonë aleat të Kosovës, për më tepër shtoi se kjo varet nga Kosova.

Më tej, ai në tryezën me temën “Si tutje me dialogun”, theksoi se procesi po zvarritet, meqë Kosova është nxituar.

“Nuk jam për dialog në të cilën regjisor dhe skenarist me kolegjiume të teatrit. Ku përmes nesh presin të përmbushim role të paracaktuara, ku një aktor që nuk është i mirë e heqim nga skena dhe zëvendësojmë me një tjetër. Ne duhet të definojmë principet e akterëve, por jo rolin e tyre me gjashtë akte me epilog dhe me uverturë. Se kjo është kundërshtim me brendësinë dhe sovranitetin dhe me dinjitetin…Nëse insistoni në këtë aspekt atëherë më mirë është të lexoni letrat e presidentit Biden se fjalët e mia”, shtoi ai.

Kurti ka folur edhe për reciprocitetin ku ka thënë se nuk kanë vendosur barriera për Serbinë, dhe se do të përgatisin edhe dokumente të shkeljeve që bën ky vend ndaj marrëveshjes.

E, publicisti Veton Surroi ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të bëjë rivlerësimin e procesit të dialogut. Ai ka përmendur 10 sugjerime të nevojshme për të ndihmuar procesin negociator.

“Ndërhyrja në kohë të gabueshme siç ishte me rastin Grenell e dëmton procesion e negociatave. Tërheqja ka shkaktuar që të hyjnë edhe në çështje si këmbimi i territoreve, apo rastit Grenell me krijimin e një sistemi paralel. Është i nevojshëm rikthimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun e Brukselit. Dhe është i nevojshëm në kuadër të një dimensioni të ri që dialogu duhet të prodhojë jo vetëm integrimet evropiane, por integrimet euro-atlantike”, ka theksuar Surroi.

Surroi shtoi se përgjatë këtyre dhjetë vjetëve ka pasur shpërpushje juridike të çështjeve. Për këtë, ai theksoi edhe rastin e Asociacionit të Komunave Serbe, që sipas tij është në shpërpushje të dyfishtë. /KP/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

Lajme
Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pas publikimit të raportit nga DASH

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pas publikimit të raportit nga DASH

Lajme
​Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

​Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

Lajme
Kalo në kategori