LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Miratimi i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, do t’i jap fund parullës ironike “rroga e vogël, fitimi i madh”

Kurti: Miratimi i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, do t’i jap fund parullës ironike “rroga e vogël, fitimi i madh”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kurti tha se ky Projektligj është i domosdoshëm që të kemi shtet të drejtë dhe të barabartë.


“Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore i cili është sjellë në Kuvend për ta marrë miratimin tuaj sot.

Ka vite që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe jo vetëm, dhe se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave dhe ikjes nga drejtësia”, tha Kurti.

Kurti shtoi se në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria.

“Herë zbrazëtirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë kanë lënë mundësi për rritje të kriminaliteti, Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve. Nëpërmjet këtij projektligji në vendin tonë nuk do të dominoj më parulla ironike “rroga e vogël, fitimi i madh””, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se projektligji është i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve.

“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata. Ky ligj përcakton kthimin e pasurisë te pronari legjitim dhe juridik që është Republika e Kosovës. Qytetarët meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/