LAJMI I FUNDIT:

Kurti kujton 2 Korrikun, kritika për qeveritarët

Kurti kujton 2 Korrikun, kritika për qeveritarët

Sot bëhen 28 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar këtë datë, duke thënë se me këtë deklarate, delegatët i dhanë formë dhe përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës.


Kurti në një postim në Facebook, ka kritikuar edhe zyrtarët shtetërorë duke uruar që mos të ketë organizim për këtë datë, pasi ceremoninë e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit e quajti dështim.

Lexoni më poshtë postimin e tij të plotë:

“Sot shënojmë 28 vjetorin e Republikës së Parë të Kosovës, që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 përmes Deklaratës Kushtetuese e cila u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke.

Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë. Me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë. Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, ‘vetëvendosja politike’ dhe ‘demokracia autentike’, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim.

Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë.

Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/