LAJMI I FUNDIT:

Kurti informon përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kuvend për bisedimet me LDK-në për arritjen e koalicionit qeverisës

Kurti informon përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kuvend për bisedimet me LDK-në për arritjen e koalicionit qeverisës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kuvendin e Kosovës, ku i njoftoi mbi bisedimet e deritashme për arritjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, posaçërisht për zotimin për komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës.

Sipas komunikatës së LVV, Kurti i ka siguruar përfaqësuesit e këtyre komuniteteve për vullnetin e qeverisë së tij, që, në plotni t’i përmbushë pritjet e qytetarëve të vendit tonë për ndryshimin aq shumë të nevojshëm drejt shtetndërtimit e sundimit të ligjit, zhvillimit e krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë dhe pa bërë dallime.


“Deri te kjo arrihet vetëm duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar hapat dhe në atë drejtim jemi”, ka thënë Kurti, në takimin ku ishin të pranishëm, Rasim Demir nga Koalicioni Vakat,  Emilija Rexhepi nga NDS, Duda Balje, Fikrim Damka dhe Fidan Zholta nga KDTP, Veton Berishën nga PLE, Albert Kinollin nga PREBK, Etem Arifin nga PAI dhe Adem Hoxhën nga JGP.

Sipas njoftimit, Kurti mori mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve për tejkalimin e problemeve me të cilat qytetarët por edhe komunitetet ballafaqohen, si dhe për realizimin e projekteve të cilat do të përmirësonin cilësinë e jetesës për gjithë qytetarët e Republikës e në veçanti të atyre që kanë më së shumti nevojë.

“Pjesëmarrësit u dakorduan që takimet të vazhdohen dhe të shpeshtohen me qëllim të përmbylljes së punëve drejt qeverisë së re dhe përgatitjes për punët e mëdha e të mira të qeverisë sonë të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Në takim ishin të pranishëm nënkryetarja e LVV Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, anëtarët e kryesisë Arbërie Nagavci e Xhelal Sveçla dhe anëtari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes nga IRDK Elbert Krasniqi. /Telegrafi/