LAJMI I FUNDIT:

Kurti flet sërish për heqjen e vizave: Nga 1 janari qytetarët tanë mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende evropiane

Kurti flet sërish për heqjen e vizave: Nga 1 janari qytetarët tanë mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Kurti ka thënë se këto dy vendime që janë marrë, konfirmojnë rrugën tonë evropiane dhe që jemi në rrugën e duhur.


“Liberalizimi i vizave kishte ngecur për katër vjet në agjendën e Këshillit të BE-së. Me shumë punë e angazhim e veçanërisht me vendet hezituese vitin e kaluar arritëm që gjatë presidencës çeke të zhbllokojmë këtë proces. Më 8 prill Parlamenti Evropian kaloi vendimin e liberalizimit të vizave, për të nënshkruar pastaj të nesërmen. Falënderoj zv.ministrat  Bislimi e Gërvalla dhe ministrin Sveçla për punën e tyre të palodhshme dhe të suksesshme”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se më në fund qytetarët nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Evropës.

“Nga 1 janari i vitit të ardhshëm qytetarët tanë mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende evropiane përfshirë edhe Bullgarinë, Rumaninë e Qipron që nuk janë pjesë e zonës Shengen. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme ashtu siç shteti ynë po bëhet përherë e më i fortë”, tha Kurti.

Duke folur për vendimin për pranim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, Kurti tha se ishte një vendim i rëndësishëm.

“Këtë javë u mor vendim tjetër i rëndësishëm në Strasburg. Të hënën më 24 prill komiteti i ministrave me mbi 2/3 e votave të nevojshme votoi për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Ne besojmë thellësisht që si shtet i ri e demokratik e paqedashës do të japim kontributin e qmueshëm të ardhmen si anëtar me të drejta të plota në Këshill të Evropës”, tha Kurti. /Telegrafi/