LAJMI I FUNDIT:

Kurti: E them edhe sot që Marrëveshjet e 2013-së dhe 2015-së për Energjinë nuk ishin të mira, po të isha më herët kryeministër nuk do të kishte as KEDS e as KESCO

Kurti: E them edhe sot që Marrëveshjet e 2013-së dhe 2015-së për Energjinë nuk ishin të mira, po të isha më herët kryeministër nuk do të kishte as KEDS e as KESCO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përsëritur që Marrëveshjet për Energjinë të viteve 2013 dhe 2015 nuk ishin të mira.

Kurti në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se po të ishte më herët kryeministër, nuk do të kishte as KEDS e KESCO, shkruan Telegrafi.


“Kam thënë që Marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 nuk është e mirë, e them edhe sot. Pra, ato nuk ishin marrëveshje të mira, por ato i trashëguam dhe i gjetëm. Kur u bëna kryeministër, i gjeta 38 komuna, po të pyetesha unë nuk do të ishin 38. E gjeta KEDS-in dhe KESCO-n, po të isha më herët kryeministër nuk do të kishte KEDS dhe KESCO, por monopoli publik është bërë monopol privat dhe unë tani unë duhet të bashkëpunoj me to. Ka një mori gjërash që nuk i bëjë me vullnet e dëshirë, por nga nevoja e përgjegjësia”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se gjendja në terren është më e keqe se ato marrëveshje.

“Përveç se ato marrëveshje nuk ka qenë të mira, gjendja në terren është edhe më keq se këto marrëveshje. Unë kërkoj bashkëpunimin e të gjithëve që sa më shpejtë që gjithçka të funksionoj sipas ligjeve”, ka shtuar ai.

Çfarë përmbante Marrëveshja për Energjinë 2013 – dallimet me Marrëveshjen e 2022-së të nënshkruar në Bruksel
Lexo po ashtu Çfarë përmbante Marrëveshja për Energjinë 2013 – dallimet me Marrëveshjen e 2022-së të nënshkruar në Bruksel

Sipas tij, me anë të Marrëveshjes që është arritur dje në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, buxhetit të vendit do t’i kursehen dhjetëra milionë euro.

“Pas më shumë se 20 viteve buxhetit të Kosovës do t’i kursehen dhjetëra milionë euro në vit të mbuluara më herët për kosto energjetike në veriun e vendit. Katër komunat e veriut do të kalojnë në një rend të furnizimit, faturimit dhe të inkasimit të pagesave të konsumit me energji elektrike. Udhërrëfyesi i arritur dje në Bruksel, do ta mundësoj këtë. Bashkimi Evropian do të mbikëqyr zbatimin e tij. E me zbatimin e tij do të përfundoj një problematike e trashëguar për pagesën e energjisë në katër komunat e veriut”, theksoi Kurti.

Në fund, ai ka pohuar se me këtë marrëveshje po ndalet gjakderdhja financiare.

“Kemi trashëguar shumë gjëra, të cilat nuk kemi dashur, po e bëjmë më të mirën me krejt se çfarë dimë e mundemi nga atë që e kemi trashëguar. Pra, pas 20 viteve po e ndalim një gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po e përfundojmë një problematik në sektorin e energjisë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/