Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërmarrja publike rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni” është “transformuar” gjatë pesë viteve të fundit, duke përmendur zgjerimin e zonës së shërbimeve, rritjen e investimeve dhe përmirësime në performancë.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se në këtë periudhë është bërë inkuadrimi i Shtërpcës dhe Hanit të Elezit në zonën e shërbimeve të ndërmarrjes.


“Inkuadrimi i Shtërpcës dhe Hanit të Elezit në zonën e shërbimeve, rritja e shumëfishtë e investimeve kapitale, ulja e humbjeve të ujit dhe rritja e konsiderueshme e konsumatorëve të regjistruar dhe arkëtimit janë disa prej sukseseve të arritura në këtë periudhë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se është rritur edhe paga mesatare për punëtorët e ndërmarrjes, duke përmendur shifra konkrete.

“Edhe paga mesatare për mbi 200 punëtorët e ndërmarrjes, është rritur nga 485 euro në vitin 2021, në tash 740 euro”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka shtuar se, sipas tij, me mbështetjen e qeverisë, ndërmarrjet publike po zhvillohen dhe po rrisin cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

“Me mbështetjen e qeverisë sonë, ndërmarrjet publike po zhvillohen dhe po e rrisin cilësinë e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/