LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje

Kurti: Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mirëpriten në Prishtinë për një mëngjes pune bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq.

Në takim ishte edhe Mark Baskin, profesor dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar, transmeton Telegrafi.

Kryeministri gjatë takimit ka folur për raportet e Kosovës me Serbinë dhe po ashtu edhe për situatën në Ukrainë, ku ka pohuar se “agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje”.


“Gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit. Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë.

“Kryeministri Kurti theksoi se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse. Ai veçoi rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare – të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj”, vijon njoftimi./Telegrafi/