LAJMI I FUNDIT:

Kur “vret” babën!

Kur “vret” babën!

Kryetarët e partive jam i bindur që nuk e kanë lexuar asfare Frojdin kur flasin për atë që fëmija “vret” babain. Histori e gjatë kjo që ka kuptim krejt tjetër nga çfarë thonë. Por nejse…

Tani të hidhemi më konkretisht!

Nëse e vret “babain”, pra atë që të ka hapur rrugën dhe i të cilit je pjella, politike, “vrite” mirë!

Ngulja thikën drejt e në zemër si në filmat horror me dhunë! Si Fatosi “vrau” Ramizin, si Rama “vrau” Nanon. Se, poqese baba shpëton “gjallë”, pra sepse nuk e ke gjetur momentin e përshtatshëm, dije se atëhere e ke humbur statusin e birit dhe të kthehet baba dhe të “vret” ai!

Se Frojdi thotë që biri “vret” babën, por edhe që baba që ka zënë mend e “tredh” birin që ky kur mos i shkojë ndërmend të vejë dorën e vet erotike mbi nënën!

Pastaj, Frojdi vazhdon që biri që “vret” babën ka edhe ai bijtë e vet. Sapo “vret” babën e vet, janë bijtë e “vrasësit” që duke mësuar zanatin e “vrasësit” ngrihen dhe tentojnë të “vrasin” vrasësin e babë së vet, pra gjyshin e tyres! Vrasësi i babës rrezikon të “vritet” nga bijtë e vet po për të njëjtën arsye që ai ka “vrarë” babën.

Dhe pastaj, vazhdon Frojdi, baba që është tentuar “të vritet”, por ka shpëtuar gjallë, synon të bashkohet me bijtë e “vrasësit” të babës vet, dhe aleanca e gjyshit me nipërit kundër babës-bir, është më e papërmbajtshmja. Ajo bashkon histerinë e ethshme të nipave, me babën e babës, gjyshin, që kthehet në totem.

Kjo aleancë bashkon inatin e babës që i shpëtoi “vrasjes” dhe e sheh tashmë birin si “vrasës” me mllefin e nipave, bijve të birit, që udhëhiqen nga slogani : “Ti që vret “babën” tani prano të “vritesh” nga bijtë e tu!
Historia e rrëfimit të Frojdit ka edhe vazhdimin, por unë nuk kam kohë ta përfundoj!

Prandaj dy konkluzione:

Po “vrave” babën, vrite tamam jo për gjysmë!

Po përdore mësimet e Frojdit, kuptoi ato plotësisht, dhe mos ec me të dëgjuar!