LAJMI I FUNDIT:

Kur shoqëria shkon në bankrot, Lekë Dukagjini thotë: Në WC jemi ne! (Video)

Kur shoqëria shkon në bankrot, Lekë Dukagjini thotë: Në WC jemi ne! (Video)

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në një ekspozitë pikturash në ish-Jugosllavi, Lekë Dukagjini nga Kosova shfaq svastikat. Të gjithë u çuan kundër, duke thënë se ai përfaqëson pritjet nazifashiste të shqiptarëve. Lekës nuk ia ka ndie, sepse ai me botën e tij ishte para kohës së atyre që kishin mendime të dominuar nga politikat dhe ambiciet e errëta.

Ky personazh i veçantë, i një gjenerate të rrallë të rinisë shqiptare – asaj të viteve 1980 – jeton jashtë vendit. Ai bile mbijeton si artist vizual. Këtë e thonë shokët dhe bashkëpunëtorët e tij të gjeneratës, që kanë dëgjuar që para 5-6 viteve ai ishte këndej, me një ekspozitë në Prishtinë. Apo mbase e kanë ngatërruar me një ekspozitë për figurat e kombëtare shqiptare, ku ishte edhe ai i Lekës së Kanunit!?


Sidoqoftë, kjo s’ka rëndësi, sepse “bashkëkohësit” e kujtojnë në Prishtinë si përfaqësuesin e parë të muzikë pank në Kosovë, si liderin e grupit “Bankrot”, dhe njeriun që provokonte me tekste. Si “Bankrot” ishin Lekë Dukagjini, Valbon Dukagjini, Armando Gjini, Fatos Berisha, Agron Aliu, Luan Osmani…

Këta ishin pjesë e një rinie progresive! Por, a janë edhe sot, kur iu kanë afruar apo kanë hyrë në të pesëdhjetat? A mund të jenë regjisorët, arkitektët, piktorët, profesorët e muzikës, mjekët… “pleqtë”… progresivë si rinia sot? Apo, si po ia del regjisori Fatos Berisha, me shfaqjet e tij, të zbërthejë më së miri problemet e rinisë së sotme, të shoqërisë së sotme materialiste e virtuale?

“Bankrot” formohen diku në vitin 1985. Atë vit e incizojnë këngën “Në CC jemi ne”. Në fakt, titulli origjinal ishte “Në WC jemi ne”, por nuk u lejua atë kohë të dilte – publikisht ashtu – nga organet e RTP-së së dikurshme. Në muzikë shihet dhe ceket ndikimi i – mbase pank-grupit më të madh në botë – “The Clash”. Ndërsa, teksti ironik, që thyente tabutë kur ishte vështirë – në epokën e komunizmit – është ky: “Një muaj u bë, që bleva Citroen – fantazi kerr/ Çdo ditë në rrugë, shoh nga një skenë – ose shmejker/ Radion e lëshoj, nervat i qetësoj/ ngase jam mësuar, pa të nuk duroj/ N’semafora, m’kap nervoza/ Majtas djathtas, shesin poza/ Në CC – jemi ne/ Rrugëve kur kaloj, vajzat më shiqojnë/ Me dorë e me sy ato ma bëjnë/ Shpejtësinë ngadalësoj, Klleshat (The Clash – v.j.) i lëshoj/ Ngase ju pëlqejnë, si t’çmendura ato k’cejnë”.

Pastaj, të ndikuar nga rrjedhat e kohës dhe nga rok grupi më alternativ shqiptar, “Lindja” (Luan Osmani, Fatos Berisha dhe Bekim Mahmuti), Lekë Dukagjini incizon këngën “Rabini (Stuhi në Gang)”, e më vonë një si baladë të ndikuar nga “askush” – “Kajranfili”!

Këta profesionistë të lëmenjve të ndryshëm sot, dikur mezi i gjenin instrumentet, e një vend për të ushtruar, për të pritur pastaj në terminët e RTP-së për incizim. Këta i binin këngës fund e krye, në incizime e në tezga. Dhe, më shumë se kushdo tjetër sot, donin ta ndryshonin shoqërinë për të mbarë. Sepse ishin tamam rokerë, ecnin shumë me instrumente në krah, kishin guxim, kishin ide dhe… svastikën e perceptonin si simbol ilir, të kultit të Diellit!

Prandaj, dëgjojeni Lekën se çfarë ka thënë dikur. Thjesht, ia vlen… /Telegrafi/