Mbrëmjen e 2 korrikut 2025, Prishtina përjetoi një nga ngjarjet më të veçanta muzikore të këtij viti.

Projekti ndërkombëtar Red Bull Symphonic solli në skenën e AMC Hall dy ikonat e hip-hopit kosovar, MC Kresha dhe Lyrical Son, të shoqëruar nga një orkestër simfonike e plotë – duke krijuar një bashkëdyzim të rrallë mes ritmeve të zhanrit urban dhe harmonisë klasike.


Atmosfera ishte elektrizuese që në momentin kur u hapën dyert.

Qindra artdashës, që kishin pritur me padurim këtë bashkëpunim të pazakonshëm, mbushën sallën për të dëshmuar një performancë që shkriu dy botë muzikore në një skenë unike.

Repertori i njohur i dyshes u riaranzhua në formë simfonike, duke i dhënë një dimension të ri hiteve të tyre më të dashura për publikun.

© Video: Blendi Aligjiku/Telegrafi
@telegrafi

🎶 Kur krahët i merr muzika – Red Bull i jep jetë një nate simfonike në Prishtinë me performancë mahnitëse nga MC Kresha dhe Lyrical Son #Telegrafi #Kosova #RedBull #MCKresha #LyricalSon #Prishtinë

Të përkrahur nga një orkestër e përbërë nga instrumentistë profesionistë, MC Kresha dhe Lyrical Son sollën një performancë që kaloi çdo pritshmëri.

Dirigjenti i koncertit, Dzijan Emin, ndau emocionet e tij me Telegrafin, duke thënë: “Epo, ky ka qenë me të vërtetë një projekt sfidues. Duke e bërë këtë, është hera e parë në jetën time që po punoj me artistë hip-hop. Dhe veçanërisht, e dini, ky lloj projekti me kaq shumë njerëz në skenë, plus MC Kresha dhe Lyrical Son, kështu që ishte vërtet sfiduese për t'i bashkuar të gjitha gjërat... Jam vërtet i kënaqur se si doli gjithçka. Procesi i provave ishte i mahnitshëm dhe Prishtina është e mrekullueshme – për mua është kënaqësi e madhe të jem këtu”.

Vetë artistët, të emocionuar nga përfshirja në këtë projekt global, theksuan rëndësinë e momentit për karrierën e tyre: “Më e mira që ka mujt me na ndodhë neve është me qenë të përzgjedhur prej Red Bull-it. Është një event që është global, për neve një qëllim i realizum, ndoshta i pamenduar, por gjithsesi i mirëseardhur. Dhe meqenëse po realizohet, shpresojmë edhe besojmë që kena me i kënaq krejt...”, u shprehën MC Kresha dhe Lyrical Son për Telegrafin.

Skenografia elegante, ndriçimi i sofistikuar dhe fuqia emocionale që sollën artistët e bënë këtë mbrëmje të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Red Bull Symphonic në Prishtinë dëshmoi se muzika nuk ka kufij, dhe kur përplasen dy universë të ndryshëm artistikë – krijohet art i pastër.

Një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut dhe që e ngre Prishtinën edhe më lart në hartën e ngjarjeve kulturore ndërkombëtare. /Telegrafi/