LAJMI I FUNDIT:

Kur Ismail Qemali u propozoi osmanëve të bënin një “Konfederatë Evropiane”

Kur Ismail Qemali u propozoi osmanëve të bënin një “Konfederatë Evropiane”

Ismail Qemali është jo thjesht figura themelore e pavarësisë shqiptare, por edhe një nga ideatorët për ndryshime strukturore në qeverinë osmane. Jo më kot, figura e tij ka merituar shkrime dhe përmendje nga më të ndryshmet. Kurse një shikim ndryshe i tij na jepet në një roman historik, “Sulltani i fundit” i autorit Mishel de Gres, botuar kohë më parë nga “Plejad”, ku tregohet ngjitja e tij deri në postet më të larta të Perandorisë Osmane.

Kuptohet se romani është fikshën dhe një moment e përshkruan Ismail Qemalin deri në postin e kryetarit të Parlamentit, post që ai nuk e ka pasur realisht, por tregon në të vërtetë, pozicionin e tij tepër të rëndësishëm në Perandorinë osmane. Në këtë shkrim do të përshkruajmë idenë e tij për një konfederatë, e cila duket pak a shumë si Bashkimi Evropian i ditëve tona. Kuptohet se Perandoria autarkike, megjithëse i kërkonte direkt fjalët e tij nuk i donte këshillat e Ismail Qemalit, madje tentoi që ta eliminonte dhe kështu në fund të jetës së tij ai u morr me ëndrrën dhe me atë që e bëri të pavdekshëm: Pavarësinë e Shqipërisë

***

Është e tepërt që të merresh me jetëshkrimin e thjeshtë të burrështetit të madh Ismail Qemali. Jo se kjo nuk ia vlen, por për një arsye tjetër, figura e tij ka qenë e madhe në aspirata, që sot popujt evropianë i ëndërrojnë: Në krijimin e një bashkësie shtetesh të pavarur. Në këtë roman historik del dhe roli i tij i madh për forcimin e shtetit osman, që jeton në grahmat e tij dhe figura e tij poliedrike.

“Ismail Qemali ishte kundër faktit që një vend sado i vogël të mbetej i izoluar brenda kufijve, pa lëvizje tregtare e pa marrëdhënie me vendet e tjera. Por marrëdhëniet ekonomike nuk duhet t’i detyronin atij vendi heqjen dorë nga pavarësia politike, por me një ekuilibër të aftë, duhet t’i siguronin gjallërinë”, shkruan Vjollca Tafaj, e cila është marrë me përgatitjen e kujtimeve të Ismail Qemalit.

Duhet pranuar se Shkëlqesia e tij, Ismail Qemali, për shkak të pozicionit dhe kontributit që kishin dhënë shumë njerëz të tij për historinë e Turqisë, ishte për një demokratizim të Perandorisë. Ai kërkonte që të hiqej centralizmi absolut, sepse kjo amalgamë popujsh, e cila ishte në sundimin osman nuk mund të rregullohej në kohët moderne me një dorë të vetme. Dhe, arsyeja e tij nuk mund të kundërshtohej. Ai, vetë, kishte lëvizur në poste të ndryshme në hapësirat e Perandorisë dhe kishte parë me sytë e tij ndryshimet thelbësore që ishin në zakonet e popujve të ndryshëm në kulturë, besim, zakon, por edhe në mjediset krejt të ndryshme gjeografike ku jetonin. Si një njohës i mirë i historisë së Evropës ai kishte idenë e një Konfederate të madhe, që afronte pak me konceptin helvetik, ku rregullimi i çdo vendi në mënyrë autonome do të ndikonte në rregullimin e përgjithshëm.

Ky vizionar, po të zhvendosesh pak në kohë dhe në hapësirë mund ta kuptosh lehtë, sesa mund të kuptohej nga bashkëkohësit, që i kishin sytë akoma të lbyrur me shekujt e lavdisë osmane?! Përmes situatave të ndryshme në romanin e fundit historik del edhe roli i plotë dhe shumë i veçantë i këtij burokrati “të frikshëm” të Perandorisë. Të cilin e adhuronin dhe po aq e luftonin. “Mendja e tij e mprehtë dhe idetë novatore bënë që sulltani Abdyl Hamiti të kishte njëherësh respekt e frikë prej tij. Ndonëse e internuan për disa vjet, atij nuk reshtën së dhëni grada”, saktëson për të Edwin Jacques tek “Shqiptarët”.

Ishte koha, kur ai ishte për autonominë “në suazën e Perandorisë”. Dhe, nga kjo kohë, është edhe propozimi që i bëri Sulltanit, për të penguar Rusinë, që donte të dilte me anë të Kostadinopulit në Mesdhe më 1892.

“Një politikë e dobishme për të tashmen e për të ardhmen do të ishte prirja drejt vendosjes së një pakti midis shteteve ballkanike përmes arritjes së një aleance mbrojtëse dhe një marrëveshje ekonomike, prelud i kushtetutës së një shteti të madh Oriental”… i shkruan shqiptari i madh – Sulltanit.

Nga shqyrtimi i dokumentevedel se deri në vitin 1908, në kokën e tij, ishte e ideuar mirë që pavarësia ekonomike, ose një mundësi ekonomike më e madhe do të ishte ajo që do të ndihmonte për një pavarësi.

Historianët vërejnë, se ky ishte një koncept i avancuar, sepse në atë kohë -vendet e ndryshme, peshën e tyre e matnin me fuqinë politiko-ushtarake.

“Vendosja e bashkëpunimit të lirë, që propozoj unë, do t’u jepte popujve të çdo shteti të drejtën që të vendosen në çdo pjesë të Perandorisë së madhe dhe të kenë përkatësinë e saj, me lirinë për t’iu futur çdo ndërmarrje që dëshirojnë. Turqia do të kishte avantazhin e rivendosjes së unitetit të saj, si shtet në kufijtë e vjetër, por, në vend që t’ia kushtonte energjitë ndalimit të emancipimit të njerëzve… fuqia e saj do të qëndronte në unitetin e njerëzve për mbrojtjen e përbashkët, kurse energjitë e tyre do t’i kushtoheshin zhvillimit ekonomik të perandorisë”.

Një mësim brilant nga historia e tij për kujtimin e Perandorisë Osmane. Krahas me këto, Ismail Qemali, kishte filluar të mendonte ndryshe për vendin nga vinte origjina e tij. Kështu, në programin, që i paraqiti ambasadorit italian në Londër, një mikut dhe adhuruesit të tij, Antonio di San Xhuliano ishte:

“Qëllimi i vendosur për të luftuar: që në gjithë vendet, që flitej shqip, ti përkisnin Shqipërisë; përhapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin; një hekurudhë Vlorë-Manastir, në mënyrë që të kishte akses në Selanik, një nga portet më të mëdha të Mesdheut, hyrjen e kapitalit të huaj”.

I gjithë ky mozaik do t’i jepte vendit më shumë fuqi administrative…Si një burokrat i vjetër i perandorisë, ai nuk mund të shtynte dot dhe rënien e përnjëhertë të Perandorisë, ndaj në mendimet që i kërkuan, ai i kërkoi direkt Sulltanit, që të shpallte Kushtetutën e re, që në fakt ndodhi. Për këtë kushtetutë kishte vdekur dhe Mit’hat Pasha, mësuesi i tij, që përmendet aq shumë në romanin historik dhe ku tregohet njëherazi dhe figura e këtyre dy personazheve për zhvillimin e Turqisë.

Por, nuk kishte kohë më për të. Tashmë, protagonistë të Turqisë janë bërë Turqit e rinj, ose xhonturqit, të cilët synonin dhe iu drejtuan menjëherë pushtetit absolut. Më 15 shkurt 1909, Komiteti i “Bashkim-Përparimi” iu sul personazheve të njohur një prej të cilëve ishte dhe Ismail Qemali, i saporehabilituar nga internimi i radhës. Ai u qëllua në Parlament dhe kjo shënoi dhe ikjen e tij përfundimtare ndaj Turqisë duke kërkuar tashmë në mënyrë finale rrugën e Shqipërisë. Kishte marrë fund edhe ëndrra e tij e madhe, për të krijuar një konfederatë moderne, që të përbëhej nga disa vende, të cilat do të ishin të pavarur…

***

Ajo që ndodhi pastaj me jetën e njeriut vizionar dihet dhe është përsëritur shpesh. Më 5 nëntor 1912 në Rumani u bë një mbledhje e madhe e shqiptarëve, por nuk dihej nëse do të shpallej autonomia apo Pavarësia. Ismail Qemali e kishte busullën e tij dhe mendonte se për çështjen shqiptare në atë kohë nevojitej vetëm diplomacia e madhe. Nga këtej, ai shkoi në Budapest, ku u takua me ministrin Bertohld dhe pastaj iku në Vienë. Kishte gjetur mbështetjen e vërtetë, e cila ishte nga Italia dhe Austria dhe epilogu i kësaj përpjekje ishte në Trieste, kur ai shpalli në momentin e nisjen me anijen”Bryn” vendimin e madh për të shpallur Shqipërinë të pavarur.

Sipas parashikimit, nuk mundi ta bënte këtë në Durrës për shkak të ushtrisë serbe që po i afrohej qytetit. Ndaj, iku në Vlorë ku shpalli në të njëjtën ditë me Skënderbeun më 28 nëntor 1443, Pavarësinë… Kishte lindur kështu dhe shteti më “i ri” i Ballkanit, që ishte ngjizur që me kohën e Zotërve Paganë. Epilogu zyrtar ishte më 1 Dhjetor 1912, kur “Autonomia Shqiptare” u njoh edhe nga Fuqitë e Mëdha, por kuptohet jo nga Greqia dhe Serbia…